Monedha leku ka pësuar mbiçmimin më të lartë në kursin e këmbimit në krahasim me monedhat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas të dhënave të azhurnuara në një grafik të Fondit Monetar Ndërkombëtar shihet kursi real efektiv i këmbimit nisi të rritej me shpejtësi pas vitit 2016. Fondi ndërtoi indeksin “Kursi real efektiv i këmbimit (2010=0)” dhe shihet se nga viti 2010 deri në korrik të vitit 2021 leku është mbiçmuar në tregun e këmbimit së paku me 23 pikë përqindje. Trendi i mbiçmimit të lekut është zbutur disi gjatë vitit 2021.
Fondi arsyetoi se, kursi i këmbimit është mbiçmuar deri tani, si rezultat i përmirësimit të llogarisë korente dhe vijimit të flukseve hyrëse të kapitalit.
Pas lekut shqiptar shihet se mbiçmimin më të lartë e ka Dinari Serb. Që nga viti 2010 ku indeksi=100, dinari serb është mbiçmuar më rreth 20% në tregun e këmbimeve.
Para vitit 2016 Dinari Serb ka qenë valuta më e mbiçmuar në Rajon në tregun e këmbimeve valutore, por 5 vite më parë gara është fituar nga leku shqiptar. Valuta serbë është forcuar si rrjedhojë e rritjes së fortë të eksporteve me vlerë të shtuar në këtë periudhe dhe përmirësimit të bilancit fiskal me uljen e konsiderueshme të borxhit publik.
Ndërsa në dy vendet e tjera të Ballkanit, Maqedonia dhe Bosnja valutat kombëtare kanë ardhur në rënie që nga viti 2010.
Monedha e Bosnjës, Marka shihet të jetë nënçmuar së paku me 10 pikë % që në nga vitin 2010. Gjithashtu edhe Denari i Maqedonisë së Veriut u nënçmuar për të njëjtën periudhe me 4 pikë përqindje.
Në përgjithësi në vendet e Europës Lindore dhe Qendrore rajoni i CESSE ku bëjnë pjesë rreth 20 vende, valutat vendase kanë humbur mesatarisht 5 pike përqindje të vlerës në këmbim me valutat e huaja nga viti 2010.
Mbiçmimi i lekut e ka ndihmuar Shqipërisë të amortizojë kostot e rritur për borshin e jashtëm. Duke blerë më shumë e euro me më pak lek, Shqipëria me të njëjtën sasi lekësh ka shlyer më shumë borxh në vitin 2021 në krahasim me vitin 2016.
Në vitin 2017 një euro kushtoi mesatarisht 134 lekë, ndërsa këtë vit një euro kushtoi mesatarisht 123 lekë.
Por në rast nënçmimi të lekut kursi i këmbimit mund të kthehet në një rrezik serioz për financimin e borxhit, pasi që nga mbiçmimi i monedhës vendase borxhi i jashtëm në euro është rritur dukshëm nga emetimi i eurobondeve. Në ditët e fundit të nëntorit qeveria shqiptare emetoi një Eurobond me vlerë 650 milionë euro të cilin do ta shlyejë për 10 vite.