Si e presin përfaqësuesit e bizneseve ecurinë e sipërmarrjeve të tyre gjatë vitit 2022. Nga optimizmi i industrisë tekstile e këpucëve, te pesimizmi i operatorëve të tjerë, si rrjedhojë e çmimeve të larta të energjisë, shtimit të kostove të prodhimit dhe pasigurisë së mjedisit global, të lidhura me vazhdimësinë e pandemisë.
Cilat janë parashikimet sipas sektorëve që nga vijimi i rritjes së çmimeve të apartamenteve, mobilimit, pajisjeve hidrosanitare, tarifave ndërkombëtare të transportit rrugor të mallrave dhe rënia e xhiros në restorante. Pritshmëritë pozitive për sektorin e turizmit dhe konsumit.
EKSPORTUESI MË I MADH NË VEND PRET RËNIE NGA KRIZA E ENERGJISË
Kurum International, prodhuesi i çelikut dhe energjisë (përmes 4 HEC-eve), është eksportuesi më i madh në vend. Në vitin 2021, kompania u rikuperua me shpejtësi pas pandemisë dhe pothuajse i dyfishoi të ardhurat. Sipas të dhënave paraprake, qarkullimi vjetor i pritshëm për 2021 është 42-42.5 miliardë lekë (rreth 340 milionë euro), nga 23.6 miliardë lekë në vitin pandemik 2020. Rritja e të ardhurave u ndikua si nga zgjerimi i shitjeve ashtu dhe shtrenjtimi i çmimeve të hekurit.
Prodhimi i shufrave të çelikut arriti në afërsisht 420 mijë ton dhe shitjet (prodhimi i kompanisë +hekur importi) pritet të kapë rekord prej 480-485 mijë ton hekur. Pozitiv ishte dhe aktiviteti i katër hidrocentraleve, si një vit i mirë energjetik, duke arritur në rreth 390 mijë megavat.
Por, 2022-shi nuk pritet të jetë kaq i mbarë. Arif Shkalla, drejtor ekonomik i Kurum, thotë se kriza e energjisë ka sjellë vështirësi dhe pasiguri. “Me çmime burse prej 350-400 euro megavat nuk punon dot fabrika e çelikut pasi ndikon jashtëzakonisht në kosto dhe na bën jo konkurrues”.
Të gjitha fabrikat e çelikut në Europë po e ndiejnë krizën, çka ka ndikuar në ngadalësimin e aktivitetit të tyre. “Nëse nuk bien çmimet, atëherë do jetë shumë e vështirë”, parashikon Shkalla. “Ndërkohë që Rusia dhe Turqia akoma janë me çmime energjie të ulëta dhe konkurrojnë në tregjet rajonale të hekurit duke ulur çmimet”.
Si rrjedhojë, pritshmëria për hekurin në 2022 nuk është e mirë, ka pasiguri dhe frikë për krizë. “Sepse natyrisht po stopohet edhe kërkesa për hekur si rrjedhojë e çmimeve të larta”. Vlerësimet janë që eksportet e hekurit të shënojnë një ulje prej 5-10% në raport me vitin e mëparshëm.
Kurum pret që të kompensojë një pjesë të aktivitetit të çelikut nga performanca e mirë në segmentin e energjisë, të paktën për periudhën janar-maj 2020.
Kompania, që disa vjet më parë shpalli falimentin për efekt ristrukturimi, po vijon normalisht me shlyerjen e kredive, që pritet të mbyllen brenda dy viteve. Problem vijon të jetë rimbursimi i TVSH-së, për të cilin kompania ankohet prej vitesh.
Në përfundim, Shkalla thotë se “Gjithsesi 2021 mbetet vit shume i mirë, por pritshmëria për 2022 nuk është kaq e mirë. Kriza energjetike dhe rritja në përgjithësi e çmimeve në çdo sektor do të ndikojë në frenim të ekonomisë dhe rënie të kërkesës.
BANKERS PETROLEUM DO TË INVESTOJË NË HAPJEN E PUSEVE PËR HERË TË PARË QË PAS PANDEMISË
Bankers Petroleum, i cili shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës dhe është eksportuesi i dytë më madh në vend, pret që prodhimi këtë vit të shënojë një rritje të lehtë prej rreth 5-10% në krahasim me vitin 2021, kur ishte në nivelet e rreth 600 mijë tonëve.
Në kushtet kur rafineria kryesore vendase nuk ka nisur ende aktivitetin nafta bruto do të vijojë të eksportohet, kryesisht përmes blerësit kryesor në Spanjë. Çmimet e larta në bursat ndërkombëtare, që në fillim të vitit 2022 ishin 82 dollarë për fuçi, përbëjna avantazh për eksportuesin e dytë më të madh në vend.
Lajmi pozitiv për kompaninë është se për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, kompania do të investojë në hapjen e puseve të reja, që ishin ndërprerë që nga prilli i vitit 2020. Në atë kohë, Bankers u detyrua të ndërpresë aktivitetin më shumë se një muaj, për herë të parë në histori, teksa nafta zbriti në 20 dollarë për fuçi, konsumi global ra dhe aktiviteti i rafinerive partnere u reduktua në minimum.
Si pasojë, planet ambicioze të Bankers për intensifikim të aktivitetit hidrokarbur u ndalën gjatë kësaj periudhe, duke ndikuar negativisht në planet për hapjen e puseve të reja. Në 2020-n të ardhurat e kompanisë u përgjysmuan, në 15 miliardë lekë, ndërsa janë rikuperuar disi në 2021.
FASONI PRET RRITJE DYSHIFRORE MES SFIDAVE
Me gjithë vështirësitë që po vijnë nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, shtrenjtimi i kostove të transportit e energjisë elektrike dhe mungesa e punonjësve, industria fason pret zgjerim dyshifror në vitin 2022, si pasojë e shtimit të kërkesës nga partnerët seriozë, të cilët po synojnë të afrojnë prodhimin në Europë.
Florian Zekja, nga Shoqata e Prodhuesve të Veshjeve, tha se me gjithë sfidat që solli pandemia, sektori i fasonit në vitin 2021 ka shënuar rritje, duke tejkaluar edhe parametrat e vitit 2019. Zoti Zekja përmendi se kërkesa për të realizuar konfeksione në Shqipëri do të jetë e lartë edhe në vitin 2022, sidomos nga partnerë seriozë dhe marka të njohura që ofrojnë çmime të larta dhe pagesa të sigurta. Afërsia me Europën e ka bërë tërheqës Ballkanin dhe Shqipëria mbetet një vend me përvojë të mirë në këtë drejtim.
Eva Laro, e cila zotëron fabrikën e prodhimit të këpucës ProDyn, i sheh gjithashtu me optimizëm zhvillimet në sektor sa i takon kërkesës. Prodhimi i këpucës, që pati edhe goditjen më të madhe nga kriza pandemike, arriti të rikuperohej vitin e kaluar.
“Gjatë vitit 2021, kishte rënie të kërkesës për përparëse mjekësore, një segment që na ndihmoi në 2020 të rikuperonim uljen e prodhimit të këpucëve, por kishim rritje në prodhimin e këpucëve dhe tashmë biznesi është në rreth 60% të tij në segmentin e prodhimit me cikël të mbyllur. Ndaj e konsiderojmë në përmirësim dhe presim që rezultatet optimale dhe përfitimet të merren plotësisht gjatë vitit 2022”, tha Laro.
Sfida me valën e çmimeve
Industria fason, në vitin 2022, do të përballet me sfidën e çmimeve të larta. Zekja tha se çmimet e pambukut që vjen Turqia janë rritur me 40%, gjithashtu janë rritur tej mase edhe çmimet e transportit, aksesorëve, makinerive dhe të gjitha lëndëve të para që i duhen industrisë.
Nga mesi i vitit, shumica e kompanive fason do të detyrohen të dalin në tregun e liberalizuar të energjisë. Shumica e fabrikave do të dalin në treg në një kohë që çmimet në bursa janë 5-fishuar në një vit. Mirëpo nëse shfrytëzohen disa avantazhe, kjo mund të shndërrohet në avantazh tha Zekja. Fabrikat e fasonit do të bashkohen në një ofertë unike për të zgjedhur një furnizues afatgjatë me çmime të leverdishme.
Rritja e çmimeve do të gërryejë fitimet në bizneset e industrisë teksa porositësit po synojnë të mbajnë çmimet nën kontroll.
Fabrikat, duhen edhe 15 mijë punonjës
Gjatë vitit 2022, sektori fason do të përballet me sfidën e mungesës së punonjësve. Kërkesa ka qenë në rritje, por shumë fabrika kanë refuzuar porositë për shkak të mungesës së punonjësve. Zekja tha se aktualisht, e gjithë industria ka nevojë për 15 mijë punonjës shtesë, të cilët po synohet të zëvendësohen me aziatikë, ose me punonjës nga Bangladeshi.
Fabrika e prodhimit të këpucëve Prodyn po përballet me një kërkesë të pazakontë nga klientët europianë, e cila nuk po përballohet për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Eva Laro, aksiorere dhe administratore e saj, tha se kërkesa për këpucë e ka kaluar nivelin e vitit normal 2019, por fuqia punëtore në dispozicion është më e ulët se ajo e vitit 2019.
Pandemia pati ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët, sepse si pasojë e infektimeve dhe karantinave të gjata, punonjësit humbën lidhjen me vendet e punës. Por me rikthimin drejt normalitetit, i gjithë globi po përballet me një kërkesë jo të zakontë për mallra, ndërkohë që shumë punonjës kanë refuzuar të kthehen në punë pas pandemisë.
Zonja Laro thotë se, sfidat më të mëdha janë punonjësit, ku shihet një rënie e vazhdueshme e personave të rinj të interesuar për punë. Për të plotësuar nevojën për punonjës, Prodyn po ndërmerr një projekt të rëndësishëm, që është rritja e cilësisë/saktësisë së listës së personave që rezultojnë të papunësuar, por që vërtet dëshirojnë të punojnë dhe janë të aftë për të punuar (edhe pse pa aftësi teknike specifike, pasi ata mund të trajnohen në qendrat e trajnimit në fabrikë.
Përpjekje për të përfituar nga kërkesa
Shqipëria është në një moment të mirë për të rritur kërkesën nga kompani serioze dhe marka të njohura të veshjeve dhe këpucëve europiane. Pandemia shkëputi zinxhirët e furnizimit nga Azia, por Laro thotë se duhet parë sa e qëndrueshme do të jetë kjo tendencë.
Zekja nga Shoqata e Fasonëve shprehet se, fabrikat shqiptare po synojnë klientë me kërkesa cilësore dhe çmime të larta.
Për të përballuar kërkesën në kushtet e mungesës së punëtorëve, sipas tij, shumë fabrika po tentojnë automatizimin, për të cilin nevojitet një paketë ndihme nga qeveria, jo më pak se 10 milionë euro.
DO TË VIJOJË THELLIMI I KRIZËS NË TRANSPORTIN URBAN
Transporti urban në Tiranë, edhe për vitin 2022, do të vazhdojë të ketë rënie të numrit të pasagjerëve. Operatorët kryesorë të linjave urbane në kryeqytet pohojnë se shkaku kryesor i thellimit të krizës së tyre financiare është emigracioni, kryesisht i të rinjve dhe mosplotësimi i kërkesave fiskale për këtë sektor.
“Numri i pasagjerëve për muajin dhjetor 2021 ishte 55-60% më pak se e njëjta periudhë e 2019-s. Arsyeja e rënies së numrit të tyre është emigracioni, kryesisht i të rinjve. “Në këto kushte, ne po operojmë vetëm me 70% të flotës së autobusëve. Nuk presim që numri i pasagjerëve të rritet për 2022, pasi ata që përdorin më tepër linjat urbane janë të rinjtë që vetëm po emigrojnë”, nënvizon Kostandin Foni, drejtori i linjës urbane Kombinat-Kinostudio-Tufinë, i kompanisë “Shega Trans”.
Pavarësisht rritjes së të ardhurave nga ndërprerja e informalitetit për shitjen e aboneve në tregun e zi me çmime 500 deri në 600 lekë, nga 1,200 lekë, operatorë të tregut pohojnë se janë ende në vështirësi financiare për shkak të rënies së numrit të pasagjerëve.
Në mesin e muajit tetor 2021, transporti urban në Tiranë, Kamëz dhe Vorë reduktoi shërbimin 50% për shkak të mospërballimit të kostove të larta nga kriza e COVID-19 dhe shtrenjtimi i çmimit të naftës. Operatorët në Tiranë kërkuan indeksim të çmimit të biletës dhe të abonesë mujore.
Çmimi i biletës së transportit urban në Tiranë është 40 lekë, ai i abonesë së linjës 1,200 lekë dhe abonesë së përgjithshme 1,600 lekë, uljes së TVSH-së, si dhe heqjen e akcizës për naftën e përdorur nga sektori i transportit, në të kundërt do të pezullonin 80% të shërbimit nga 1 nëntori. Kërkesat financiare të sektorit nuk u miratuan, por në mbështetje të operatorëve të Tiranës, qeveria miratoi shpërndarjen e fondit të subvencionit, me vlerë 2 mln euro.
Për vitin 2022, pritet që tarifat e transporti rrugor të mallrave të shtrenjtohen. Andi Shijaku, nga kompania “Shega Trans”, thotë se për 6 muajt në vazhdim, trendi rritës i tarifave ndërkombëtare do të vijojë për shkak të shtimit të kostove administrative nga mungesa e shoferëve të kamionëve.
Çmimet e importit të mallrave me kamion nga vendet e Europës drejt Shqipërisë në 2021 ishin 10 deri në 20% më të shtrenjta se nivelet e parakrizës. Për transportin e mallrave me kamion në Greqi, tarifa nga 700 euro u rrit në 800 euro. Në Itali, nga 900 euro në 950 euro, për kamion.
“Shumë vende të Europës janë në vështirësi për gjetjen e shoferëve të kamionëve. Mungesa e tyre ka ndikuar te funksionimi 50-60% të flotës së mjeteve të transportit. Dukuria është e pranishme edhe në Shqipëri. Shumë drejtues të kamionëve kanë emigruar drejt shteteve si Gjermania, Italia apo Anglia.
Mungesa e drejtuesve të mjeteve ka rritur kostot administrative për kompanitë, pasi janë rritur pagat për shoferët disponibël”. Tarifat e transportit të kontejnerëve me Kinën, që vjet arritën në vlerën e 17,000 dollarëve, nga 2,000 deri në 3,000 dollarë para pandemisë, nuk pritet të shënojnë tjetër shtrenjtim për 2022.
INDUSTRIA AUTOMOTIVE “PESIMISTE”, SHKAK MUNGESA E LËNDËVE TË PARA
Industria automotive bën pjesë në grupin e sektorëve që nuk presin një vit edhe aq optimist në 2022. Shkak për këtë është bërë mungesa e lëndëve të para. Pritshmëria është e tillë në nivelet më të larta të prodhuesve të automobilave dhe shpërndahet njëtrajtësisht në të gjithë zinxhirin me të cilin kjo industri është e lidhur.
Në Shqipëri janë një sërë kompanish që prodhojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si Mercedez Benz, KIA, Hyundai, Peugot, Renault, Fiat Group, Sumitomo Electric Industries, të cilat pohojnë se viti aktual do të jetë i mbushur me sfida.
Situata në vitin 2021
Pavarësisht fillimit të një viti të mirë në 2021-shin, tremujori i fundit i tij rezultoi me një shok të ri në industrinë e prodhuesve të automobilave. Alarmi ra fillimisht për mungesën e mikroçipave në treg, më pas për një seri lëndësh të para që kishin kërkesë të lartë në treg e disponueshmëri të ulët. Magnezi ishte i fundit që iu shtuar listës së kuqe me mungesa dhe u interpretua si një sinjal për rritjen e mëtejshme të kostove të prodhimit.
Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group në Shqipëri, shprehet se në përgjithësi, viti 2021 stabilizoi kërkesën për automobila. Por, oferta nuk arriti të garantohej, sepse kompanitë e mëdha të prodhimit të automjeteve nuk gjenin në treg mjaftueshëm mikroçipa për të garantuar prodhimin sipas planit.
“Rrjedhimisht, kompanitë e prodhimit të makinave ulën kërkesën edhe për qindra pjesët e tjera që i duhen një automobili të përfunduar. Kjo ndodhi me të gjitha kompanitë e zinxhirit furnizues, përfshirë edhe Delmon Group, ku tremujori i katërt ishte ai më i vështiri, me rënie 50% të prodhimit” – pohon z. Çabiri.
Përfaqësuesit e kompanive të industrisë automotive në vendin tonë nënvizojnë njëzëri rritjen që kanë shënuar kostot e transportit në kanalet ndërkombëtare, por edhe brenda vendit, e lidhur kjo me çmimin e karburantit. Sipas përfaqësuesit të Forschner, kosto e importit të lëndës së parë nga zona e Azisë është rritur me më shumë se 50%, për shkak të reduktimit të fluturimeve, apo reduktimit të transporteve ujore.
Parashikimi për vitin aktual mbetet pesimist
Mario Scarfalloto, nga Sews Cabind Albania, pohon se për qëndrueshmëri në industrinë automotive, por edhe më gjerë, do të mund të flasim vetëm në vitin 2023.
“Mendoj se deri në momentin që i gjithë zinxhiri i furnizimit nuk do të jetë stabilizuar, situata do të vazhdojë njëlloj si tani, edhe në të ardhmen afërt. Sigurisht, ulja e konsumit të lëndëve të para (e nevojshme për shkak të mungesës së tyre) do të shkojë besoj pas 4-5 muajsh drejt stabilizimit. Kjo do të thotë se 6-mujori i dytë i vitit 2022 do të sjellë stabilizimin e tregut dhe rinisjen normale të ciklit të prodhimit. Ndaj parashikimi im është se 2022-shi do të jetë një vit i vështirë, dhe 2023-shi, një vit i qëndrueshëm” – thekson ai.
Një tjetër problematikë për bizneset në Shqipëri duket se është shfaqur në horizont së fundmi, e cila ka të bëjë me daljen në tregun e lirë të 7358 bizneseve. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka njoftuar se bizneset e lidhur në 20, 10 dhe 6 kv do të duhet të sigurojnë të vetëm energjinë nga janari 2022, duke i nxjerrë ato nga tregu i rregulluar. Kjo do të thotë që bizneset do të duhet të përballen me çmime stratosferike që në disa muaj të veçantë arrijnë edhe trefishin e vlerës me të cilën ata e blinin energjinë në tregun e lirë.
“Si në shumicën e industrive, shtrenjtimi i lëndëve të para ka ndikimin e tij në strukturën e kostove. Por, ndërsa deri tani rritja e kostove të lëndëve të para është përballuar në nivele grupi, mbetet shqetësuese për degën tonë në Shqipëri pasiguria me çmimin e energjisë elektrike në 2022-shin. Nuk është ende e qartë për ne si do të ndodhë liberalizimi i tregut në terma praktikë dhe çfarë na pret në lidhje me çmimet” – pohon Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial i Delmon Group në Shqipëri. Sipas tij, lidhur me ecurinë e përgjithshme të këtij viti, parashikimi është që të rikthehemi në normalitet vetëm pas tremujorit të dytë.
“Duke pasur parasysh pasigurinë e lartë në afatshkurtër, skenari pozitiv për industrinë tonë është që të kthehemi në normalitet në fund të tremujorit të dytë të këtij viti. Kjo për sa i përket garantimit të produkteve të zinxhirit të furnizimit për prodhuesit e makinave, i cili përkthehet në kërkesë të qëndrueshme për produktet që tregton Delmon Group Albania. Rreziqet që lidhen me çmimet e lëndëve të para do të mbeten të larta dhe shpresa është që të stabilizohen deri në fund të vitit” – shprehet ai.
Të tjerë operatorë me aktivitet të ngjashëm në treg e kanë fokusuar vëmendjen gjatë këtij viti në plane investimi që pandemia i kishte zbehur disi, edhe për shkak të pasigurisë që solli me vete.
Forschner Albania, e cila prej 6 vitesh operon në tregun shqiptar, u detyrua të mos zhvendosej në një fabrikë më të madhe, sikurse ishte plani, për shkak të situatës së pandemisë dhe efekteve të shkaktuara në tregje.
“Edhe pse në Shqipëri, kompania jonë rritet në kapacitet nga viti në vit, problematika botërore e zinxhirit të furnizimit me lëndë të parë ka sjellë frenim të planit të zgjerimeve 2020-2021, që kompania kishte planifikuar” – tha Ercan Yagmur, administrator i Forschner Albania. Ai theksoi se, për shkak të fleksibilitetit në prodhim, kompania ka arritur të sigurojë
porosi nga klientë të rëndësishëm edhe për vitin e ardhshëm, por situata në tërësi për industrinë e automobilave mbetet e vështirë nga kostot në rritje. Zgjerimin me një fabrikë më të madhe, Forschner do ta ketë këtë vit.
“Optimizmi ynë se viti 2022 do të jetë gjithashtu i suksesshëm vjen nga konfirmimi i kërkesave në rritje sa u përket produkteve që ne prodhojmë. Kjo ka nxitur vendimin e kompanisë mëmë, me seli në Gjermani, të investojë në Shqipëri, me qëllim zgjerimin e sipërfaqes së fabrikës ku është vendosur prodhimi” – pohon z. Yagmur.