Me këtë vrull të ikjeve masive dhe paralajmërimeve të panumërta për ta lënë vendin një orë e më parë, ose në çdo rast kur t’u ipet edhe mundësia më e vogël, patjetër që rrezikohet Kosova të mbesë pa krahë pune dhe pa kuadro të nevojshme, që vet i shkolloi dhe i përgatiti profesionalisht. Pa mjekë, pa infermierë, pa njerëz të aftësuar dhe të ditur në fushën e teknologjisë informative, pa latues e muratorë…
Mehmet GJATA
Këto ditë, në një mëngjes të ftohtë, në kafenenë afër Gjykatës Kushtetuese, e karakterizuar me një ambient të ngrohtë dhe mikpritës, të cilën unë me kolegë ka kohë që e frekuentojmë goxha rregullisht dhe besoj, jemi ndër klientët besnikë të saj, e takuam pronarin e mërzitur. Pa një, pa dy, në interesimin tonë, për imazhin e tij ku vërehej qartë shqetësimi, si me drojë nisë të rrëfehet.
“Kam frikë se do të detyrohem ta mbyllë lokalin. Këtë kafene, ku siç e dini shërbehet vetëm kafeja dhe çaji, e mbaj edhe sa për të jetuar, por edhe nga qejfi. Por si po vijnë punët, druaj se do të detyrohem t’ia vë çepenat. Sot e lëshuan punën dy punëtorët (kamarierët) nga tre gjithsej, sa kanë qenë këtu gjithë këtë kohë. Tani ka mbetur vetëm edhe një. Po të ikë edhe ky, s’ka rrugëdalje. Më duhet ta mbyllë kafenenë, që e kam edhe bukë edhe merak. Nuk mund të gjejë, por edhe të paguaj aq sa kërkojnë ata tani”, shprehet i tronditur dhe i mallëngjyer pronari i kafenesë sonë të dashur.
Punëtorët që e kanë lënë punën në “kafenenë tonë”, kanë ikur për t’ia mësyrë Perëndimit. Për rrethanat e Kosovës, ata e kanë pasur mirë këtu dhe janë trajtuar me korrektesë nga punëdhënësi. Por, grishja për më shumë pagë, ka determinuar përcaktimin e tyre për ta braktisur Kosovën. Dhe, ata, janë vetëm “një pikë ujë në det”, po të kesh parasysh shifrat enorme të të gjithë atyre që ua mësyjnë përditë ambasadave të vendeve të Europës për ta fituar një vizë, stacioneve të autobusëve e aeroportit tonë, për të ikur një orë e më parë nga vendi i tyre, ose për të zënë sa më shpejtë që është e mundur një vend pune, gjithandej nëpër Europë, ku u jipet mundësia.
Kur është fjala te numrat e ikanakëve, po kalkulojmë me shifra edhe për të dëshmuar këtë që po e themi dhe për të qenë më bindës në pohimet e medies sonë. Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë këto ditë ka bërë të ditur se për procedurën e shortit në dhjetor të vitit 2021, ka pranuar gjithsej 56 mijë e 639 aplikime. Ata kanë aplikuar për një prej vetëm rreth 460 terminëve që ka në dispozicion kjo ambasadë për këtë muaj. Por, shifra e atyre që nuk duan të jetojnë në Kosovë mund të jetë shumë më e lartë. Kjo pasi ka edhe shumë të tjerë që synojnë të largohen edhe nëpërmjet vizave që mund të sigurojnë nga shtetet e tjera, por edhe nëpërmjet rrugëve ilegale, siç është vepruar pa ndalë me vite të tëra.
“Secilin muaj jepen proporcionalisht aq termine, ashtu që në fund të vitit arrihet kontingjenti prej më së shumti 5.500 vizave që eventualisht mund të lëshohen për këtë kategori”, i ka thënë një medies kosovare Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Sipas të dhënave të një hulumtimi të Institutit GAP, numri i kërkesave për leje pune të paraqitura nga qytetarët e Kosovës në Agjencinë Federale të Punësimit të Gjermanisë, përbën 30% të të gjitha aplikacioneve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Doemos, që edhe numri i kosovarëve që kërkojnë punë dhe strehim edhe në shumë vende të tjera të Perëndimit është shumë i madh, madje edhe enorm. Kërkojnë punë jashtë vendit edhe mjeku, edhe infermieri e infermierja, edhe qindra e mijëra fakultetlinjë e me diploma masteri të tjerë, edhe punëtorë të kualifikuar, sish të zejeve që tashmë kërkohen publikisht përditë nga Gjermania, Zvicra, shetet e Beneluksit, por edhe ato skandinave. Dhe me këtë vrull të ikjeve masive dhe paralajmërimeve të panumërta për ta lënë vendin një orë e më parë, ose në çdo rast kur t’u ipet edhe mundësia më e vogël, patjetër që Kosova rrezikohet të mbesë pa krahë pune dhe pa kuadro të nevojshme, që vet i shkolloi dhe i përgatiti profesionalisht. Pa mjekë, pa infermierë, pa njerëz të aftësuar dhe të ditur në fushën e teknologjisë informative, pa latues e muratorë, edhe pa fermerë e bujqë ‘denbabaden’ të lidhur me tokën e Kosovës.
“Pesë sektorët me rrezikun më të lartë të ikjes së fuqisë punëtore janë TIK-u, gastronomia, inxhinieria dhe kujdesi shëndetësor. Në bazë të anketave me të punësuar në sektorin privat del se ndër arsyet kryesore të emigrimit janë: pagat e ulëta, kushtet e këqija të jetesës dhe mungesa e mundësive në Kosovë”, kanë sqaruar këto ditë për medien kosovare nga Instituti GAP. Sipas GAP-it, nëse ky trend i emigrimit vazhdon, disa sektorë në Kosovë rrezikojnë të mbesin pa fuqi të kualifikuar punëtore.
Sipas të dhënave, për shkak të pandemisë, në vitin 2020 dhe 2021, Ambasada e Gjermanisë nuk ka lëshuar viza pune. Ndërsa në vitin 2019, Ambasada ka lëshuar më shumë se 50 mijë viza. Prej tyre rreth 36 mijë viza Schengen, si dhe rreth 15 mijë viza nacionale për qëndrime afatgjata, si bashkim familjar, viza pune e viza studimi. Sido që të jetë, numri i kosovarëve që kanë lënë vendin e tyre është i pamatë, tronditës.
Në vjeshtën e vitit të kaluar Instituti Europian i Statistikave, Eurostat, bëri publike statistika alarmuese, të dhembshme dhe tejet shqetësuese të emigrimit të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës nga tokat e tyre, vendlindjet ku jetuan me shekuj ‘denbabaden’. Sipas këtyre statistikave, del se në periudhën 2008-2020, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mban rekordin për numrin e shtetasve të saj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një nga shtetet e BE-së. Që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian.
Kur kihet parasysh numri i banorëve të Kosovës, të vogël pra edhe për nga territori edhe për nga numri i banorëve, edhe shifrat e të ikurve nga vendi ynë në këtë periudhë prej 285 mijë vetave, sado duket ndjeshëm më i vogël sesa ai i të ikurve nga Shqipëria, është marramendës, shqetësues pafundësisht dhe do të duhej të jetë shumë alarmues për autoritetet shtetërore dhe institucionale tonat. Është shqetësues ky numër, sidomos, po të krahasohet me numrin e emigrantëve të shteteve të rajonit në këto vite të trajtuara nga Eurostati. Nga Serbia kanë ikur 426 mijë serbë (sa e sa herë më e madhe territorialisht dhe me numër popullsie se ne), BeH (poashtu më e madhe se vendi ynë) pati në këtë periudhë 337 mijë boshnjakë të ikur, Maqedonia e Veriut 195 mijë shtetas të ikur, ndërsa Mali i Zi gjithsej 20 mijë veta, numër thuaja simbolik krahasuar me kosovarët, që lanë në këtë periudhë vendin e tyre.
Në raport me popullsinë, diferenca del edhe më e lartë, pra më shqetësuese dhe më e frikshme. Sepse, gati 25% e popullsisë të Shqipërisë (të vitit 2020) tashmë jeton e punon në një nga vendet e Bashkimit Europian. Vendi i dytë, fatkeqësisht i takon Kosovës (15.4%), e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (10.3%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (6.2) dhe Mali i Zi (3.3%).
Institucionet ndërkombëtare e llogarisin numrin e emigrantëve nëpërmjet autorizimeve për lejet e qëndrimit të lëshuara për herë të parë për këto vende nga shtetet e Bashkimit Europian. Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, në një raport të mëparshëm, gjeti se Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën për periudhën 2010-2020.
Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit sidomos në Shqipëri dhe Kosovë. Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë sipas Bankës Botërore e për rrjedhojë, kanë edhe flukset më të larta emigratore. Këto janë faktet e Eurostatit, që gjithsesi nuk janë të tërë numrat e kosovarëve që ia kthyen shpinën vendit të tyre.
Të dhënat shqetësuese nuk përfundojnë me kaq. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitin 2020, kanë bërë të ditur se vetëm gjatë periudhës janar – gusht të vitit 2019, 3519 persona janë liruar nga shtetësia, përkatësisht nënshtetësia e Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga viti 2009 deri në vitin 2018, mbi 40 mijë shtetas të Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia. Mesatarisht, në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5 mijë qytetarë.
Pra, jemi kampionë. Gjendemi në vendin e parë ose të dytë për zbrazjen e popullsisë, deshëm ose s’deshëm ta pranojmë këtë fakt, ndonëse nuk kemi shifra më të sakta për hemoragjinë migruese të kosovarëve, bashkatdhetarëve tanë, se po të kishim shifra të sakta (të publikuara nga institucionet), numri i qytetarëve që po e braktisin vendin do të na linte pa frymë. Këto shifra alarmuese të migrimit kosovar, duhet ta lënë pa frymë pushtetin aktual të Kosovës, Qeverinë dhe institucionet e tjera, të cilat me premtimet e panumërta se do të rrisin numrin e të të punësuarëve dhe do të zbusin “hemoragjinë” e ikjes, fituan votat për ta udhëhequr këtë vend. Nuk ka shumë kohë për gjithë këtë indolencë, plogështi dhe inferioritet karshi këtij problemi kaq të mprehtë. Diçka, patjetër duhet bërë. /Buletini Ekonomik/