Mundësitë për prodhimin e energjisë solare në Kosovë

Instalimi i paneleve diellore mbi shtëpi

Sipas ekspertëve, në të gjitha sipërfaqet e kulmeve të objekteve komerciale, komunale dhe private të cilat kanë orientimin e duhur lindje-perëndim, apo janë të rrafshta, mund të instalohen panele solare. Kosova ka edhe shumë toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim. Hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut, ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, si dhe hapësirat përgjatë autostradave, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare…

Buletini Ekonomik

Prishtinë, janar Paralajmërimet më të reja dhe gjithnjë e më të shpeshta për ndalesa shtesë ndaj përdorimit të qymyrit si burim energjetik, domosdo kanë aktualizuar çështjen e të pasurit më shpejtë dhe më shumë energji elektrike të rinovueshme. Tashmë, për Kosovën është urgjencë zëvendësimi sa më shumë i kapaciteteve tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme. Ndërkohë që tani për tani Kosova ka fare pak, thuaja sasi simbolike të energjisë së ripërtëritshme.

Reklama e sponzorizuar

Duhet thënë se me gjithë mëdyshjet dhe dilemat në shumë mjedise, edhe në nivel institucionesh, madje edhe ekspertësh, Kosova ka potenciale për energji të rinovueshme. Madje goxha mundësi të mira. Ëshrtë e vërtetë, kemi fare pak ujë dhe pak lumenj. Pra, mundësitë për ndonjë hidrocentral domethënës për nga fuqia prodhuese për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe të konsumit tonë në rritje, thuajse nuk ekzistojnë.

Të gjitha hidrocentralet e deritashme në Kosovë bashkarisht kanë fuqi instaluese rreth 100 megavatorë energji elektrike. Nuk bëhet fjalë që shpëtimi energjetik mund të gjendet te hidrocentralet. Por, cilat janë potencialet premtuese që Kosova të ketë goxha energji të rinovueshme, ose një sasi që pak a shumë do të ndikonte deri në vitin 2050, kur nuk do të ketë më rrymë nga qymyri, që të shërbente si stabilizues i sistemit elektroenergjetik të vendit dhe si energji shtesë për nevojat e konsumit tonë?

Kosova ka potencial për BRE-të, thonë ekspertët. Potenciali më i lartë është nga era dhe dielli.

Buletini Ekonomik ka trajtuar këto ditë deri në detaje mundësitë reale të Kosovës për të prodhuar energji elektrike në bazë të erës. Sot media jonë do të trajtojë mundësitë që ka Kosova të prodhojë energji nga dielli, pra energji solare.

Kosova e vogël si territor, ka pak tokë për të ofruar për ndonjë kapacitet solar, të madh dhe të efektshëm për nga sasia, për të kontribuar në përmbushjen e nevojave të konsumit dhe tregut tonë energjetik. Sidoqoftë, potencialet për parqe solare janë të mëdha në Kosovë, krahasuar me burimet e tjera të energjisë së rinovueshme. Ekspertët numërojnë këto mundësi, duke filluar nga të gjitha sipërfaqet e kulmeve te objekteve komerciale, komunale dhe private, të cilat kanë orientimin e duhur lindje-perëndim, apo janë të rrafshta. Ndërsa, teoritikisht në çdo sipërfaqe e rrafshët mund të instalohen panelet solare.

Por, sipas Gazmend Kabashit, menaxher i Zyrës për Zhvillim dhe Planifikim Afatgjatë në KOSST, një ndër njohësit më të mirë kosovarë të lëmisë së energjisë së rinovueshme, këtu qëndron problemi që çdo hapsirë nuk është e leverdishme të instalohen panele solare (PV).

Sipas tij, tokat bujqësore nuk do të duhej të shfrytëzohen për parqe solare. 100 MW park solar zënë vend në një tokë rreth 200 hektarë. Nëse krahasohet prodhimi i energjisë që japin këto panele solare me prodhimet bujqësore që s’do të ishin më, e që kushtimisht do të duhej të importoheshin nga jashtë, llogaritë thonë se nuk do të duhej që në toka bujqësore të bëhen instalime te tilla.

Mirëpo, Kabashi duke iu përgjigjur interesimit të Buletinit Ekonomik, për mundësitë e ndërtimit të paneleve solare, ka shpjeguar se Kosova ka toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim. Me këtë rast, ai tregon për hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut.

Ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare, si dhe hapësirat përgjatë autostradave, thotë Kabashi. Dhe këto panele solare, sipas tij, do të kishin kapacitet i vlerësueshëm si prodhues solid, madje i madh i energjisë elektrike.

Aktualisht Qeveria është duke përgatitur ligjin mbi BRE-të dhe këtu do të definohet çdo gjë. Sidoqoftë, një potencial i madh dhe shumë i rëndësishëm janë instalimet në kulme, është konkret Gazmend Kabashi. Me këto instalime të mundshme, sipas tij, do të zvogëlohej konsumi dhe rrjedha e fuqisë elektrike në rrjetin transmetues dhe distributiv, që do të thotë do të zvogëloheshin humbjet ne rrjet.

Sa i përket parqeve te mëdha, kapacietet ka, por për integrimin e Burimeve të Rinovueshme të Energjisë ( BRE-ve) në rrjetin elektrik shfaqet një problem i madh, e i cili është variabiliteti i lartë i fuqisë që japin ato dhe pasiguria e madhe në parashikim. Çka do të thotë kjo?

Kabashi e ilustron këtë me një shembull: Nëse kemi një Park Solar 100 megavatësh dhe është duke prodhuar me fuqi maksimale, sipas planit, mirëpo, nëse një re e dendur papritmas rastis të kalojë mbi këtë park, fuqia bie nga 100 në 10-20 megavatë për disa minuta. Kjo mungesë e fuqisë kushtimisht duhet të sigurohet nga Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë (KOSTT) dhe kjo ka kosto. Me gjuhën profesioniste ky veprim quhet rezerva rregulluese, e cila nevojitet ashtu që kërkesa dhe gjenerimi të jenë të balancuara në kohë reale. Ky shërbim kryesisht realizohet nga njësi fleksibile si hidrocentralet e mëdha, TC me gaz, bateritë etj. Kosova nuk i ka asnjërën nga këto.

Aktualisht Kosova siguron rezervat rregulluese nga Shqipëria. Po, a rrezikohet asgjësimi i tokës së bukës nga ndërtimi eventual i këtyre kapaciteteve, përkatësisht a ia vlen që në favor të disa megavatëve energji elektrike të asgjësohen shumë hektarë të tokës së bukës, edhe ashtu të reduktuar në Kosovë?

Po, thotë Kabashi, prandaj nuk do të duhej të lejohej që të humbet toka bujqësore edhe ashtu e paktë që është në Kosovë. Panelet solare duhet instaluar gjithandej ku nuk rrezikohet toka bujqësore si në kulmet e shtëpive, në sipërfaqet e mihjeve sipërfaqësore dhe në vende të tjera që nuk dëmtohet toka e punueshme.

Pak më shumë mundësi për energji të rinovueshme kemi te ndërtimi i turbinave me erë. Tashmë janë ndërtuar dy kapacitete që ia vlen të përmenden: ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Kamenicës me kapacitet diku 36 MW. Pas analizave dhe matjeve të shumta, vlerësohet se pos dy kapaciteteve të energjisë me erë, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen, siç ka shkruar disa herë Buletini Ekonomik, edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të identifikuara për mundësitë për të ndërtuar kapacitete energjetike në bazë të erës. /Buletini Ekonomik/