Vendimi i ardhur nga Komiteti Teknik për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, nga ministri Murati po shihet si një vendim i duhur, duke marrë parasysh krizën energjetike që ka kapluar gjithë kontinentin evropian e më gjerë, e që pjesë e kësaj krize së fundmi është bërë edhe Kosova.
Sipas Muratit, çdo kilovat që konsumohet përtej asaj që vet Kosova prodhon, importohet me çmime enorme.
Murati në konferencën e Doganës së Kosovës, ku u shpalos raporti vjetor për vitin 2021, deklaroi se ka pasur raste që importi ka shkuar deri në 500 euro për megavat orë, që i bie 50 centë për kilovat orë. E nga këta 50 centë për kilovat orë, konusmatori fundor, qytetari ose edhe qytetarët që merren me mihjen apo prodhimin e kriptovalutave, çmimin e energjisë për kilovat në orë e paguajnë vetëm 7 centë, përcjell Buletini Ekonomik.
“Ne si shtet, kemi vendosur që ta subvencionojmë një pjesë të këtij importi, në mënyrë që qytetarët të kenë sa më pak pengesa në furnizim të rregullt me energji elektrike. Mirëpo, do të ishte shumë e padrejtë, që ne si shtet të subvencionojmë fitimin e dikujt në kurriz të qytetarëve të tjerë”, tha Murati.
Sipas ministrit, ka qenë më se e nevojshme që të përkufizohet për një kohë mihja apo prodhimi i kriptovalutave, në mënyrë që të kursehen xhepat e qytetarëve, për shkak se për përfitim të disave, rritet kostoja e energjisë ose bëhet barrë e të gjithë taksapaguesve të tjerë pastaj.
Gjithashtu, Murati shtoi tutje se investimi në kriptovaluta bart rrezik të lartë në vetvete, pasi të njëjtat nuk bazohen në indikatorë fundamental dhe nuk ka asgjë të garantuar në këtë investim.
Në rastin e kriptovalutave, ai thotë se nuk ka indikatorë fundamental, ose i vetmi indikator, që investuesit në kriptovaluta kanë, është shpresa që në të ardhmen do të rritet sa më shumë çmimi i kriptovalutave, por që ky indikator sipas tij, në sektorin financiar konsiderohet më shumë vetëm si spekulim sesa investim bazuar në indikatorë fundamental.
Kurse, nëse blihen aksione në një kompani që është e listuar në bursë, kryesisht indikatorët që mund të bazohen janë ata bazik fundamental, p.sh., sa është fitimi i kompanisë, sa është qarkullimi vjetor, cila është konkurrenca në treg, cila është mundësia për rritje të fitimit etj, indikatorë këta që në rastin e tregtimit të kriptovalutave nuk ekzistojnë. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/