Sektori publik në Kosovë do të punojë vetëm në dy nga 10 ditët e para të këtij muaji. Këtë e parasheh Ligji për festa zyrtare, veç se për qytetarët një gjë e tillë është e pakuptueshme.
Por, fatin e këtij sektori nuk e ka edhe ai privat.
“Shumë e padrejtë po i bëhet sektorit privat si në paga, si në punë, përgjithësi”, tha Berat Ferati.
“Për sektorin privat normal që nuk është e drejtë me punu gjatë festave. Edhe ata duhet të kenë të drejtat e veta, sikur gjithë të tjerët”, tha një qytetaret tjetër.
Megjithatë, kjo në të ardhmen mund të ndryshojë.
Qeveria Kurti ditë më parë doli në mbështetje të ndryshimit të Ligjit që të mos pushohet në ditë pune kur festat bien në vikend. Kjo nismë është provuar të diskutohet edhe në Kuvend por që ka dështuar për shkak të mungesës së deputetëve të pakicës meqë pa ta ndryshimet në ligj nuk mund të bëhen.
Ditë pushimi do të jetë edhe dita e sotme për shkak të festës së Vitit të Ri. Ditë pushimi për sektorin publik ishte edhe dje, e do të jetë edhe të premten, më 7 janar për shkak të Krishtlindjeve Ortodokse.
Sipas Ligjit për festat zyrtare për çdo festë zyrtare që bie në ditë vikendi, llogaritet ditë pushimi edhe dita pasuese e javës, ose dita e punës.
Derisa ndryshimi i ligjit të festave zyrtare të ndodhë, punëtorët e sektorit publik vazhdojnë të shfrytëzojnë këtë të drejtë, ku ditët e pushimit gjatë një viti për shkak të festave janë të shumta. Sipas kalendarit zyrtar, në Kosovë gjatë vitit 2022 janë 11 festa zyrtare.