Në Kosovë, patatja më e shtrenjtë se sa portokalli, mandarina…

Shkak i çmimit të lartë të patates në Kosovë, vlerësohet të jetë moskultivimi i mjaftueshëm për nevojat e tregut, përkundër faktit se gjithandej në vendin tonë ka kushte solide, madje të favorshme për këtë produkt.

Blendrita Avdiu

Prishtinë, janar – Çmimi i patates gjatë muajit të janarit është ngritur dukshëm. Këtyre ditëve, në shumicën e tregjeve të Kosovës, por edhe në kryeqytet, patatja, që është një nga perimet më të konsumuara në vend, dhe kështu edhe më popullorja, është tregtuar nga 40 deri në 60 centë për kilogram. Ose, një thes, prej 3 kilogramësh është shitur 1, 80 centë këtyre ditëve në tregjet e Prishtinës. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, i bie që çmimi i këtij produkti bujqësor është ngritur për diku 20 deri në 30 centë për kilogram.

Reklama e sponzorizuar

Njëri nga tregtarët në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, në kushte anonimiteti, për Buletinin Ekonomik ka thënë se arsyeja e ngritjes së çmimit të patates është moskultivimi sa duhet i kësaj kulture bujqësore në Kosovë.

Ndërkohë, këtë e pohon edhe një tjetër tregtar në po të njëjtin vend. Ky i fundit tha se krahasuar me vitin e kaluar, çmimi i kilogramit të patates është ngritur në 40 deri në 60 centë, nga vetëm 25 centë sa ishte një vit më parë.

Ai, gjithashtu, thotë se njëra ndër arsyet kryesore të shtrenjtimit të patates është edhe mungesa e madhe e saj, pasi që viti që lamë pas ka qenë një vit i vështirë i të mbjellave të kësaj kulture dhe se nuk është prodhuar mjaftueshëm sa janë nevojat në treg.

Në anën tjetër, në Kosovë ekzistojnë kushte të përshtatshme për kultivimin e patates dhe si e tillë është një kulturë mjaft e rëndësishme, ku mesatarja e kultivimit për periudhën 2015-2019 ishte 3 mijë e 747 hektarë, me një vlerë mesatare të prodhimit vjetor prej rreth 27 milionë eurove. Pra, patatja mbulon 3,688 ha apo 19.5% të sipërfaqes me perime në Kosovë.

Sipas një raporti të publikuar nga Ministria e Bujqësisë gjatë vitit 2021, me titull “ANALIZA E TREGUT TË PATATES”, thuhet se patatja është një ndër kulturat e pakta në vendin tonë (përveç grupit të pemëve të imta manore) ku shkalla e vetë-mjaftueshmërisë kalon 100 për qindëshin.

Ndër të tjera, raporti po ashtu shpalos të dhënat të çmimit të tregut ku thuhet se sasia më e madhe nga prodhimtaria e patates në vendin tonë përdoret për konsum nga popullata, përkatësisht  nga gjithsej prodhimtaria e patates, një pjesë e prodhimit përdoret për nevoja familjare ndërsa pjesa më e madhe shitet në tregun vendor dhe jashtë vendit.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), prodhimtaria e patates, gjatë periudhës 2015-2019 ka pasur luhatje, ku vlerën më të lartë e arriti në vitin 2017, ndërsa rënien më të madhe e pati në vitin pasues 2018. Në vitin 2019, prodhimtaria e patates kishte shënuar rritje për 7.3% krahasuar me vitin 2018. Ndërsa, prodhimtaria vendore e patates në Kosovë gjatë periudhës ’15-’19 ka arritur të përmbush 100% të kërkesave vendore si dhe një pjesë e tyre edhe të eksportohet.

Kosova gjatë vitit 2019 eksportoi më shumë patate të freskët sesa që importoi, por çmimi për njësi të eksportuar ishte për rreth 50% më i ulët në krahasim me çmimin për njësi të importuar duke rezultuar kështu me vlerë negative të bilancit tregtar.

Shtetet, prej të cilave Kosova ka importuar më së shumti patate të freskët në vitin 2019, ishin Egjipti, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bjellorusia, ndërsa ka eksportuar patate të freskët kryesisht në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri.

Mirëpo, raporti tregon se situatë e ndryshme nga patatja e freskët paraqitet tek patatja e përpunuar, ku Kosova importon shumë më shumë patate të përpunuar sesa që eksporton dhe ka bilanc tregtar negativ si në vlerë po ashtu edhe në sasi.

Në anën tjetër sa i përket çmimeve të fermës, mesatarja gjatë periudhës 2015-2019, sillet rreth 0.29 euro për kilogram, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas të dhënave të po këtij raporti, çmimi më i lartë i fermës për pataten ishte në vitin 2016 ndërsa më i ulëti në vitin 2017.

Ndërkohë, në vitin 2018 dhe 2019, patatja karakterizohet me çmim të njëjtë.

“Nëse analizojmë çmimet e tregut, vërejmë se gjatë periudhës në fjalë, pati luhatje të çmimeve të patates. Viti 2019 kishte çmimin më të lartë prej 0.44 €/kg, ndërsa ai më u ulëti ishte në vitin 2015, që në krahasim me vitin 2019, ishte 27% më u ulët”, shpjegohet në raport.

Kurse, sa i përket importit, nga viti 2016 deri në vitin 2019, çmimi i patates së importuar vazhdimisht është rritur, ku në vitin 2019 kishte çmimin më të lartë (0.87 €/kg)./Buletini Ekonomik/