Vetëm në tre muajt e fundvitit të kaluar, rreth 555 mijë udhëtarë kanë shfrytëzuar Aeroportin e Prishtinës për udhëtime.
Sipas statistikave të bëra publike në një raport përmbledhës nga Agjencia e Statistikave të Kosovës: “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit për tremujorin e katërt (TM4) 2021”, numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti është rreth 555 mijë, e që në raport me tremujorin e katërt të vitit 2020 ka rritje për 47 për qind.
Ndërkohë, në këtë raport jepen të dhëna edhe sa i përket numrit të pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin për udhëtime dhe bartjen e mallrave, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas këtyre të dhënave, në tremujorin e katërt të vitit 2021, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte rreth 16 mijë, që krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, numri i pasagjerëve është rritur për 7%. Ndërsa, sa i përket transportit të mallrave me tren, janë bartur rreth 30 mijë tonë mallra më këtë mjet transporti, në këtë periudhë.
Si shënim në këtë publikim të ASK-së, jepet edhe informata se aktualisht në gjithë territorin e Kosovës, kemi gjithsej 333 kilometër binarë hekurudhorë për transport. /Buletini Ekonomik/