Një bllok tjetër i KEK-ut nxirret jashtë operimit, shkurtohet kapaciteti i prodhimit të rrymës

Termocentrali "Kosova A"

Korporata Energjetike e Kosovës njofton se nga sot deri më 27 shkurt njësia A3 e Termocentralit Kosova A, do të jetë jashtë operimit shkaku i servisimit të tij të rregullt. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, për Express, i cili tha se me kapacitetet e tanishme do të prodhohen afër 750 megavat orë. Kjo i bie që Kosova sërish do të importojë më shumë energji elektrike.

“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se nga sonte në ora 24:00 dt. 28.01.2022 njësia A-3 e TC Kosova A do të nxjerret nga operimi dhe sipas planit pritet të ri-kthehet në operim me dt.27.02.2022 ora 24:00”, ka thënë ai.

Bucolli tha se KEK tani operon me njësitë tjera me kapacitet afër 750 MW/h rrymë.

Reklama e sponzorizuar

“Konform bilancit energjetike të aprovuar, KEK do të vazhdojë të operojë me dy njësi të TC-Kosova B (B-1 dhe B2) dhe dy njësi të TC- Kosova A (A-4 dhe A-5) me një kapacitet prej afër 750 MW/h energji elektrike. Po ashtu sipas rregullave të operimit kompania përgjegjëse për furnizimin e konsumatorëve universal si dhe të gjitha palët e interesit janë njoftuar me kohë”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut.

Afërsisht një muaj ka qenë jashtë operimit njësia B2 e TC Kosova B shkaku i prishjes së turbinës. Kjo njësi u kthye në funksion më 23 janar i cili prodhon 245 megavatë orë. Për ta rregulluar prishjen që zgjati gati një muaj KEK kishte kontraktuar edhe një ekspert gjerman nga kompania që bën prodhimin e turbinës.

Për rikthimin në funksion të njësisë B2 kishte njoftuar edhe vet kryeministri Kurti duke thënë se me futjen në prodhim të kësaj njësie, për çdo orë Kosova paguan rreth 50 mijë euro import më pak apo rreth 1,2 milion euro në ditë.

Në anën tjetër Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar rritje të çmimeve të energjisë propozim ky që sot do të kundërshtohet edhe me protesta nga ora 14:00 në Prishtinë.