Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se Ministria e Financave ka ekzekutuar dje pagesat për 293 mijë përfitues nga skemat sociale, në afatin e ri kohor, siç u vendos para tri dite nga Qeveria.
Tani, të gjitha pensionet do të realizohen nga mesi i muajit, pra nga data 14 deri në datën 17 më së shumti, dhe jo siç ishte më herët në datat 23-24 të muajit, përcjell Buletini Ekonomik.
“Shpresojmë që ky ndryshim u ndihmon familjeve sadopak ta shtyjnë muajin, sidomos tani në janar, sepse shumica kanë pasur shpenzime më të larta se zakonisht për shkak të festave të fundvitit”, ka shkruar ministri Murati në facebook.
Kujtojmë se përveç ndërrimit të afatit kohor për dhënien e pensioneve, Qeveria para tri ditëve në mbledhjen e saj të parë për këtë vit, vendosi që t’i rrisë katër kategori të pensioneve që janë nën shumën e 100 eurove, duke i rritur fiks në 100 euro.
Kategoritë që përfituan nga kjo rritje ishin përfituesit e pensioneve bazike që kishin vlerë prej 90 euro, pensionet e aftësive të kufizuara që kishin vlerë prej 75 eurove, pensionet familjare që kishin vlerë prej 90 euro, si dhe pensionet invalidore të punës që kishin vlerë prej 90 euro. E nga ky vendim, sipas Muratit, rreth 175 mijë pensionmarrës do të përfitojnë nga rritja në pensione. /Buletini Ekonomik/