Programi “Gratë në Energji” hap edhe 40 pozita për punë praktike me pagesë në tërë Kosovën

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) ka lansuar edhe një thirrje për pozita për punë praktike me pagesë në sektorin e energjisë.

Në njoftim thuhet se 40 pozita të hapura në tërë Kosovën, presin vajzat dhe gratë të cilat edhe pse pa përvojë të mëhershme profesionale, të nisin karrierën e tyre në këtë sektor, duke aplikuar përmes programit “Gratë në Energji”.

Ky program, sipas njoftimit, thuhet se përfshin mundësi për punë praktike për gra kosovare që janë: Studente aktuale të nivelit MA/MSc, Studente në vitin e tyre të fundit të studimeve në nivelin BA dhe/ose të diplomuara të papunësuara të cilat kanë diplomuar gjatë tri viteve të fundit.

Reklama e sponzorizuar

“Ministria e Ekonomisë, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, UNDP dhe MFK ndër të tjera, i janë bashkuar kësaj vale të re të mundësive për punë praktike përmes Programit Gratë në Energji. Këto pozita janë të hapura në mbi 20 komuna të Kosovës si: Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë, Skenderaj, Drenas, Prizren, Mamushë, Klinë, Istog, Pejë, Rahovec, Malishevë, Ferizaj, Deçan, Shtime, Viti, Gjilan, Novobërdë, Kamenicë, Podujevë, Vushtrri, Han të Elezit, Ranillug dhe Kaçanik”, theksohet më tej në komunikatë.

Për të gjitha pozitat e hapura, vizitoni uebfaqen Women in Energy Internship Program Website dhe të mësoni më shumë edhe për kualifikimet e kërkuara.

Postimi i plotë:

Që nga fillimi i Programit ‘Gratë në Energji”, afro 100 vajza tanimë janë bërë pjesë e sektorit të energjisë, përmes Programit të Punës Praktike. Madje, disa nga praktikantet kanë arritur të zgjasin kontratat e tyre dhe të vazhdojnë angazhimin e tyre si punonjëse të rregullta në kompanitë përkatëse. Në ndërkohë, edhe dhjetëra vajza të tjera do të jenë përftuese nga ky Program i MFK-së deri në fund të 2022, i cili ka për qëllim të krijojë një urë lidhëse në mes të punëdhënësve dhe grave të cilat edhe pse pa përvojë profesionale, kanë vullnetin dhe dëshirën ta japin kontributin e tyre në këtë sektor.

Përmes programit ‘Gratë në Energji’ MFK përpiqet të ngritë vetëdijesimin e grave mbi mundësitë që sektori i energjisë ofron, si dhe njëkohësisht të përgatisë ato për tregun e punës, duke iu ofruar bursa studimore, punë praktike dhe trajnime. Të gjitha këto, do të rezultojnë me rritjen e numrit të grave të përgatitura profesionalisht për punë të ndërlidhura me energji, si dhe me zvogëlimin e hendekut gjinor në këtë sektor në Kosovë.

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) është fondacion i pavarur i themeluar në vitin 2017 për të implementuar Marrëveshjen e Pragut midis Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation-MCC), me vlerë 49 milionë dollarë. Programi i Pragut i Kosovës adreson dy pengesa kryesore për rritjen ekonomike të Kosovës: furnizimin jo të qëndrueshëm me energji elektrike; dhe dobësitë reale dhe të përceptuara në sundimin e ligjit, përgjegjshmërinë e qeverisë dhe transparencën.