Projekti masiv i erës prej 480 mijë hektarësh në det të hapur në Nju Jork, merr dritën e gjelbër

Pas më shumë se tri vitesh, Nju Jork do të sjellë ankandin e parë për të mundësuar projektin gjigant të erës në det të hapur. Pas përfundimit, projekti do të ofrojë mijëra vende të reja të punës dhe energji nga burime të ripërtëritshme, të mjaftueshme për të furnizuar miliona amvisëri për dekada me radhë.

Sekretari i SHBA për Punë të Brendshme, Deb Haaland ka thënë se Buroja për Menaxhimin e Energjisë në Oqean (BOEM) do të vendosë në ankand të hapur 480 mijë hektarë sipërfaqe në det të hapur të ndara në gjashtë zona të ndryshme.

Kjo është sipërfaqja më e madhe e ofruar ndonjëherë në ankand të vetëm dhe po bëhet në brigjet e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, apo në zonën e njohur si New York Bight.

Reklama e sponzorizuar

Buroja tashmë ka lëshuar njoftimin për shitje për projektin, duke mundësuar kështu mbajtjen e ankandit në muajin në vijim.

Pas ndërtimit, projekti pritet të prodhojë deri në shtatë gigavat energji elektrike nga burimet e ripërtëritshme të erës në bregdet, apo mjaftueshëm për të furnizuar disa miliona amvisëri.

Projekti promovon qëllimet e administratës së Biden për të prodhuar 30 gigavat energji elektrike nga era në det të hapur deri në vitin 2030.

Ndryshe, vendimi për të vazhduar zbatimin e projektit të erës në det të hapur ka nxitur pakënaqësi tek qytetarët.

Një grup i banorëve të Nju Xhersit kanë paditur Buronë për Menaxhimin e Energjisë në Oqean (BOEM) dhe kanë kërkuar tërheqjen e vendimit për të lejuar mbajtjen e ankandeve.

Ata kanë akuzuar BOEM-in se ka dështuar të përgatitë raporte të detajuara për ndikimet potenciale mjedsiore të projektit. /kosovo.energy/