Rimëkëmbja ekonomike e Eurozonës mbeti në vendnumëro në dhjetor, pasi një valë e re e infektimeve të COVID-19 kufizoi rritjen në industrinë dominuese të bllokut, atë të shërbimeve, sipas një analize të publikuar të mërkurën. Kjo rimëkëmbje mund të dobësohet edhe më tej, nëse vendosen kufizime më të forta.
Ndërsa varianti i koronavirusit Omicron u përhap me shpejtësi në fund të vitit të kaluar, qeveritë rivendosën masa për të frenuar shkallën e infektimeve, veçanërisht në Gjermani, ekonominë më të madhe të Europës.
Kjo bëri që Indeksi i Përbërë i Menaxherëve të Blerjeve (PMI) nga IHS Markit, një matës i mirë i shëndetit të përgjithshëm të ekonomisë, të bjerë në 53.3 në dhjetor nga 55.4 që ishte në nëntor, shifra më e ulët që nga muaji mars.
Megjithëse shifra përfundimtare ishte më e ulët se vlerësimi paraprak “flash” prej 53.4, ajo gjithsesi mbeti mbi nivelin 50, i cili është kufiri që ndan rritjen dhe tkurrjen ekonomike.
“PMI përfundimtare për muajin dhjetor konfirmoi se ekonomia e eurozonës e mbylli vitin 2021 me një notë të dobët. Ekonomia e humbi vrullin në fund të vitit të kaluar, por gjithsesi dukej se po vazhdonte të zgjerohej,” tha Jack Allen-Reynolds në Capital Economics.
Kufizimet për të frenuar koronavirusin dëmtuan aktivitetin në sektorin e shërbimeve në Gjermani, ndërsa shqetësimet për variantin Omicron turbulluan perspektivën për janarin. Ndërkohë, në Francë rritja ishte pak më e vogël se një vlerësim fillestar, ndërsa pandemia pati ndikimin e saj.
Megjithatë, besimi i konsumatorëve në Francë – ekonomia e dytë më e madhe e bllokut – u përmirësua muajin e kaluar.
Teksa klientët inkurajohen të qëndrojnë në shtëpi, industria e shërbimeve të eurozonës pati një rënie të konsiderueshme. PMI-ja e saj ra në nivelin më të ulët të tetë muajve, në 53.1 nga shifra 55.9 e nëntorit, më pak edhe se një vlerësim paraprak prej 53.3.
Kërkesa e ulët dhe kërcënimi i vendosjes së kufizimeve të mëtejshme bëri që firmat e shërbimeve të rrisnin numrin e punonjësve me ritmin më të ngadaltë që nga muaji maj. Indeksi i punësimit ra në 53.6 nga 55.4.
PMI e sektorit të prodhimit, e cila u publikua të hënën, tregoi se aktiviteti prodhues mbeti elastik në dhjetor, duke dhënë një indikacion se lehtësimet në pengesat e zinxhirëve të furnizimit kishin zbutur presionet mbi çmimet.
Megjithatë, indeksi i përbërë i çmimeve të inputeve mbeti i lartë në shifrën 74.1, por nën nivelin 76.0 të nëntorit. Indeksi i çmimeve të prodhimit ra, por mbetet i lartë.
Banka Qendrore Europiane rriti parashikimet e saj për inflacionin në muajin e kaluar dhe tani e parashikon inflacionin në 3.2% për këtë vit, shifër kjo goxha më e lartë se objektivi i saj prej 2.0%. /Reuters/