Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se dje është takuar me ekipin e programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), në një takim kordinues pas arritjes së marrëveshjes së grantit me MCC-në.
Përmes një njoftimi në facebook, Rizvanolli ka shtuar se ky takim simbolizon hapin e parë për fillimin e implementimit të Programit Kompakt nga MCC-ja, nga i cili pritet të investohen rreth 200 milionë dollarë në fuqizimin e sektorit të energjisë, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë, sipas njoftimit, disa prej objektivave të këtij programi janë mbështetja e infrastrukturës energjetike për rritjen e burimeve të energjisë së ripërtëritshme, ndërtimi i kapaciteteve akumuluese të energjisë, si dhe fuqizimi dhe rritja e barazisë gjinore në sektorin e energjisë, me theks të veçantë në punësimin e grave dhe vajzave në sektor.
Ajo gjithashtu tregoi se gjatë takimit, së bashku me ekipin zhvillues të programit të MCC-së, janë zotuar për implementim dhe bashkëpunim të ngushtë për përmbushjen e objektivave të parapara nga marrëveshja e grantit.
“Pas takimit të 21 dhjetorit me menaxhmentin e lartë të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), sot kam pritur në takim koordinues ekipin e programit të MCC, i përberë nga stafi i kontraktuar si dhe përfaqësues të institucioneve relevante. Ky takim simbolizon hapin e parë për fillimin e implementimit të Programit Kompakt nga i cili pritet të investohen rreth 200 milionë dollarë në fuqizimin e sektorit të energjisë”, ka shkruar Rizvanolli.
Sipas ministres Rizvanolli, programi i MCC-së pritet të ketë rol kyç në transformimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe ky fuqizim i mëtutjeshëm i infrastrukturës së energjisë do të ndikojë pozitivisht në parandalimin e ndikimit të krizave energjetike në të ardhmen. /Buletini Ekonomik/