Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në konferencën e sotme të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, rreth situatës me krizën energjetike dhe qëndrimin e Qeverisë për tarifat e reja të propozuara nga ZRRE-ja, ka thënë se 75 milionë eurot që janë ndarë për subvencionim të energjisë, do ta mbulojnë periudhën deri në fund të këtij viti.
Sipas Rizvanollit, kjo pritet të ndodhë nën supozimin e një bilanci të cilin KEK-u e ka paraqitur se si dhe se sa planifikon të prodhojë energji në periudha të caktuara, por që ky bilanc mund të ketë lëvizje që shfaqin edhe nevoja tjera për subvencione shtesë.
“Subvencioni prej 75 milionë është e paraparë që të mbulojë periudhën deri në fund të vitit dhe kjo është në supozimin për mënyrën që do të lëvizin çmimet në treg dhe duke supozuar një bilanc të cilin KEK-u e ka paraqitur se si dhe sa planifikon të prodhojë në periudha të caktuara dhe nga ky bilanc mund të ketë lëvizje dhe në secilat lëvizje do të thotë se mund të ketë nevoja për subvencion shtesë, megjithatë edhe çmimi i energjisë është diçka që nuk mund të parashihet me saktësi”, është shprehur ministrja. /Buletini Ekonomik/