Shqipëria dhe Kosova tanimë do të kenë bursën e tyre të energjisë, në të cilën kompanitë publike, bizneset dhe ndërmjetësit do të kenë mundësinë të sheshin dhe blejnë energjinë në tregun e lirë.
Dy vendet ishin të vetmet në rajon të cilat nuk kishin një bursë funksionale energjie dhe për këtë arsye cmimet e blerjes së energjisë si referencë merreshin nga Bursa Hungareze.
Tenderin për ofrimin e platformës elektronike të tregtimit e ka fituar një konsorcium grek. Bëhet fjalë për kompanitë HELLENIC ENERGY EXCHANGE S.A (Bursa Greke e Energjisë), ENEX CLEARING HOUSE (Kompania për platformën e rakorim/ likuidimit financiar) dhe HELLENIC EXCHANGES – ATHENS STOCK EXCHANGE S.A(Bursa e Titujve e Greqisë).
Në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) është publikuar njoftimi ku rezulton se me një ofertë prej 220 milionë lekësh bashkimi i tre operatorëve nga shteti fqinj është fituesi. Mbyllja e procedurës rezulton të jetë bërë më 13 dhjetor 2021 kur është bërë edhe njoftimi drejtuar konsorciumit
Shqipëria e themeloi bursën e saj para dy vitesh, por ajo nuk ishte aktive sepse nuk kishte platformën elektronike të tregtimit, e cila tashmë do të mundësohet nga kompania fituese. Po kështu do të asistojë në krijimin e një strukture më të përshtatshme si dhe këshillimin mbi rregullat e tregtimit. Ofruesi i shërbimit do të garantojë që ALPEX sipas modelit europian të organizojë tregun e ditës në avancë dhe brenda të njëjtës ditë si fillim për tregun e Shqipërisë dhe më pas bashkimin e tregjeve shqipëri Kosovë.