Si do të funksionojë masa 3.7, që parasheh 20 milionë euro për KEK-un?

Pakos së Ringjalljes Ekonomike tashmë i është shtuar edhe masa 3.7, masë kjo e cila parasheh alokimin e 20 milionë eurove për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Masa 3.7 do të subvencionojë KEK-un për blerjen e energjisë elektrike të importuar, por nga INDEP vlerësojnë se këto mjete nuk janë të mjaftueshme për subvencionimin e gjithë sasisë së energjisë elektrike që importohet gjatë muajve të dimrit.

Në Kosovë, vetëm gjatë muajit nëntorit është importuar energji elektrike në vlerë prej rreth 10 milionë eurove, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Kriza energjetike që është duke mbretëruar në pothuajse të gjitha vendet e Evropës dhe rajonit, ka ditë që ka arritur edhe ën Kosovë. E bashkë me këtë krizë, ranë edhe blloqet e termocentraleve të stërvjetëruara në vend.

Mirëpo, kriza në vend u përkeqësua edhe më shumë edhe si pasojë e mungesës së burimeve të diverisifikuara të gjenerimit të energjisë elektrike si dhe mungesës së investimeve në burime të ripërtëritshme të energjisë.

Instituti për Politika Zhvillimore –INDEP, me anë të një postimi në facebook kanë thënë se kriza energjetike ka sjellur pasoja të konsiderueshme në ekonomi dhe ka shpërfaqur nevojën për të kaluar nga burimet fosile në ato të ripërtëritshme të energjisë.

E çmimet e importit të energjisë elektrike thuajse janë trefishuar në vitin 2021. Nga viti 2013 e deri në vitin 2020, mesatarja e çmimit të energjisë elektrike nga bursa hungareze e energjisë HUPX ka qenë 43.7 Euro/MWh. Kurse, gjatë vitit 2021, mesatarja e çmimit të energjisë elektrike ka arritur vlerën prej 113.1 Euro/MWh. Tutje, muaji dhjetor ka sjellë çmime edhe më të larta, ku mesatarisht çmimi i energjisë elektrike për këtë muaj në bursën HUPX ka qenë 273 Euro/MWh. /Buletini Ekonomik/