Sqarim: Me çmime të larta, do të paguhet vetëm rryma e shpenzuar mbi 600 kWh

Fotografi ilustruese

Në paraqitjet e tyre publike të këtyre ditëve, krerët e institucioneve qeveritare në Kosovë kanë dhënë sqarime të reja rreth çmimeve të reja të propozuara për ngritjen e tarifave, tarifa këto të propozuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Mirëpo, sa është sqaruar saktë ky vendim tek qytetarët?

Buletini Ekonomik

Ditëve të fundit është debatuar shumë, si në qarkun institucional ashtu edhe në atë shoqëror, çështja e shqyrtimit urgjent të tarifave të energjisë elektrike dhe rikthimit të bllok-tarifave, të propozuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, pas krizës energjetike, në të cilën është përfshirë edhe Kosova tashmë. Ndërsa, me këto paralajmërime, tek qytetarët u krijuan shumë paqartësi.

Reklama e sponzorizuar

Përgjatë diskutimeve, te ZRRE-ja dhe te institucionet e tjera vendimmarrëse, kanë dominuar pikëpamjet për zvogëlimin e përmasave reale të çmimeve të reja të propozuara, ndërsa njohësit e rrethanave dhe realistët pak a shumë shpërfaqën koston e vërtetë të rrymës, që do ta përfshijë konsumatorin kosovarë.

ZRRE-ja në këtë raport konsultativ, parashikoi se “niveli i konsumit mbi 600 kWh që nuk mund të mbulohet nga kapacitetet vendore, do të furnizohet me tarifë prej 0.21 euro/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë”.

Të tjerët, pra ata që llogaritën me kalkulator këtë propozim, konstatuan se çmimi i propozuar është 2 herë më shtrenjtë se çmimi aktual, i cili është 0,6-7 euro/kWh, ose 200 për qind ngritje e çmimit të tashëm të rrymës, pa llogaritur plus TVSH-në, që tek ne gjithnjë e paguan konsumatori.

Sipas propozimit të ZRRE-së, i përkrahur edhe nga kryeministri dhe qeveria, fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për 2.29 euro në muaj, ndërsa fatura me konsum deri në bllok për 3.06 euro në muaj.

Ose, “Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kWh rritet për 26.98 euro, ndërsa për konsum mujor prej 1000 kWh me 50.89 euro”.

E me këto shifra, shihet se për publikun ka absolutisht shumë paqartësi.

Gjatë debateve në seancat parlamentare të Kuvendit të Kosovës ditëve të fundit, u dëgjua një sqarim i ri, nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, pastaj nga zëdhënësi i VV-së dhe së fundmi edhe nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Sipas tyre, te kategoria e konsumatorëve që shpenzojnë më shumë energji elektrike se 600 kilovat-orë, çmimi i propozuar prej 21 centësh për kilovat-orë do të paguhet vetëm për sasinë e rrymës mbi 600 kilovat-orë.

Më saktësisht, siç thanë ata, nëse shpenzimi tejkalon 600 kWh, ta zëmë bëhet 650 kW, nuk paguhen 650 kW me tarifën e shtrenjtë, por vetëm tejkalimi i 600 kilovat-orëve.

Pra, me çmim të shtrenjtë në këtë rast, paguhet vetëm 50 kilovat-orë. Pra, deri 600 me tarifë të njëjtë, 50 me ndryshim.

Sipas tyre, në heshtjen e këtij saktësimi qëndron manipulimi i opozitës. /Buletini Ekonomik/