Trusti realizoi mbi 227 milionë euro kthim nga investimet më 2021

Fotografi ilustruese

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës (FKPK) ka përmbyllur vitin 2021 me 227 milionë euro kthim bruto nga investimet. Nga Trusti kanë bërë me dije se kjo shifër nominale është më e larta që prej themelimit të institucionit.

Në krahasim me vitin 2020, kur kthimi vjetor bruto nga investimet ishte vetëm 72 milionë, vitin që lamë pas, pra më 2021, kthimi u rrit për 155 milionë euro, duke shkuar në 227 milionë euro gjithsej, përcjell Buletini Ekonomik.

Përmes një komunikate për media, nga Trusti kanë treguar se gjatë vitit 2021, mjetet pensionale në total janë rritur për 365 milionë euro, duke shkuar në 2.35 milardë euro, përderisa të njëjtat më 2020 ishin 1 miliardë e 988 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

Në fund të 2021-s, sipas FKPK-së, rreth 77% e mjeteve nën menaxhim ishin të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare, kurse pjesa tjetër në Kosovë – sipas kritereve të përcaktuara me ligj. Kurse, sa i përket Investimeve në tregjet financiare ndërkombëtare, ata tregojnë se ato vazhdojnë të kontribuojnë me rreth 95% në totalin e performancës investuese.

“Duke konsideruar se 2021-shi ishte vit i afektuar nga pandemia, luhatshmëria në tregjet financiare dhe lëvizjet e ndryshme makroekonomike, strategjia investuese e FKPK-së është adaptuar në baza të rregullta, duke angazhuar edhe fonde të reja, për të mbajtur likuiditetin, sigurinë dhe diversifikimin e portofolit”, kanë thënë nga Trusti, duke treguar se Bordi Drejtues përgjatë vitit 2021, ka ndërmarrë mbi 40 vendime për alokime të ndryshme të mjeteve pensionale.

Ndërkohë, sa i përket kontributeve të arkëtuara për vitin 2021, Trusti ka realizuar 212 milionë euro, kurse më 2020 ato ishin në vlerën e 188 milionë eurove.

Gjithashtu, prej mjeteve të Trustit, më 2021 janë bërë pagesa në vlerë të 68 milionë eurove për 5 mijë e 400  pensionistë të rinj, ndërsa prej themelimit, ky institucion ka shpaguar 321 milionë euro për 64 mijë përfitues. E llogari aktive të kontribuesve në Trust aktualisht janë 752,523 llogari.

Në këtë njoftim, Trusti ka treguar se vlera e Fletëobligacioneve të Kosovës më 2021, ka qenë 490 milionë euro. Ndërsa, depozitat me bankat në Kosovë vitin që lamë pas ishin në vlerë të vetëm 45 milionë eurove, nga shifra prej 130 milionëve që ishte në vitin 2020.

Në anën tjetër, rritja e çmimit të njësisë për vitin 2021 ishte 10.65%, përkatësisht 1.72 euro, krahasuar me rritjen prej +3.03%, përkatësisht 1.55 euro, që ishte në vitin 2020.

Kurse për këtë vit, Trusti ka pritje që do të ketë sërish luhatshmëri të lartë për shkak të pandemisë, vonesave në zinxhirin furnizues, inflacionin, rritjen e kamatave nga bankat qendrore dhe faktorët e tjerë gjeostrategjikë.

Gjithashtu, gjatë vitit 2021, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar unanimisht raportet vjetore dhe taksat menaxhuese të propozuara nga FKPK-ja për vitin 2022, me anë të së cilave kontributdhënësit obligohen që të paguajnë disa centë në muaj për funksionimin normal të këtij institucioni.

Dy kërkesat e Trust-it Pensional ishin që taksa vjetore investive të miratohet në një tarifë prej 0.32 për qind, kurse taksa operacionale prej 0.057 për qind, ose 0.15 cent në muaj për të gjithë kontributdhënësit. Më saktësisht, kontribuesit aktivë në Trust do të paguajnë nga rreth 2 euro në vit për këtë taksë, përcjell Buletini Ekonomik.

Nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës kanë deklaruar për Buletinin Ekonomik se të gjitha tarifat e ngarkuara nga Trust-i do të përdoren për t’i mbuluar vetëm shpenzimet për investim të mjeteve pensionale dhe operimin ditor të këtij institucioni dhe asnjë arsye tjetër. (M. Shabani) /Buletini Ekonomik/