Vetëm 10 terminale doganore në Kosovë, të gjitha në pronësi private e me çmime të larta

Aktualisht në Kosovë funksionojnë vetëm 10 terminale doganore për magazinimin e mallrave që hyjnë në vendin tonë, të cilat janë të pozicionuara kryesisht nëpër lokacionet kufitare të vendit. Të gjitha këto terminale, janë në pronësi private dhe çmimet për magazinim janë shumë të larta.

Për vetëm 24 orë, tarifa mesatare në ndonjërin prej terminaleve në Kosovë është 40 euro. Madje, kjo tarifë është për rreth katër herë më e lartë sesa tarifat nëpër terminalet e Shqipërisë, përcjell Buletini Ekonomik.

Në njërin prej publikimeve të Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, që është bërë rreth “Vlerësimit të Shërbimeve Logjistike në Kosovë”, aludohet se palët e interesit në Kosovë vazhdimisht kanë drejtuar akuza së në rastet e terminaleve private ekziston njëfarë oligopoli, që i lejon mbajtësit e terminaleve të mbajnë tarifa të larta. Sipas këtyre palëve të interesit, të cekura në raportin e MINT-it, prapa të gjitha këtyre terminaleve, janë vetëm tre ose katër pronarë, që besohet se bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për vendosjen e tarifave.

Reklama e sponzorizuar

Edhe firmat aktive të shërbimeve logjistike në Kosovë, nga mostrat e MINT-it që ka marrë në anketën që ka qenë pjesë e këtij publikimi, janë shprehur të shqetësuar rreth tarifave të larta të terminaleve.

Ndërkohë, palët joqeveritare të interesit kanë theksuar se në Kosovë ekzistojnë edhe disa lokacione në pronësi të shtetit që janë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme të përshtatshme për shërbimet terminale, por që të njëjtat nuk janë duke u përdorur nga qeveria.

Sipas ligjit, të gjithë personat juridikë që janë të interesuar të ofrojnë shërbime terminale janë të detyruar të kenë licencë të lëshuar nga MMPHI, e cila ka një vlefshmëri pesë vjeçare.

Ndërsa, Udhëzimi Administrativ Nr. 08/2015 për licencimin e terminaleve për mallra përcakton që për të marrë licencën për një terminal, menaxheri ose personi juridik duhet të ketë diplomë bachelor, duhet të demonstrojë besim financiar me shumë të sigurimit prej 50,000 euro, dhe duhet të përmbushë kushtet teknike.

Kurse, për të përmbushur kushtet teknike, një person juridik duhet të ketë një pllajë të hapur prej të paktën 5,000 m2 dhe një depo të mbyllur prej 1,0002 , të ketë të paktën 30 parkingje, të sigurojë kamera ndriçimi dhe vëzhgimi dhe të përmbushë disa kritere të tjera të ngjashme.

E sipas këtyre kritereve të përcaktuara me Udhëzim Administrativ, del se vetëm 10 sosh i kanë plotësuar kriteret.

“Depot doganore janë caktuar për magazinimin e mallrave jo-kosovare, pa iu nënshtruar mallrat e tilla tarifave të importit; dhe mallrat e Kosovës, ku legjislacioni i Kosovës që rregullon fusha të veçanta përcakton se ato do t’i nënshtrohen masave specifike para se të eksportohen”, thuhet në publikimin e MINT.

Sipas kodit doganor dhe të akcizave në Kosovë, një depo doganore mund të jetë ose një depo publike e disponueshme për përdorim nga çdo person për magazinimin e mallrave ose një depo private e caktuar për magazinimin e mallrave nga mbajtësi i magazinës. Tutje, ata që janë të interesuar të operojnë si depo doganore do t’i nënshtrohen procesit të autorizimit, për të cilin doganat e Kosovës janë përgjegjëse, përveç nëse depoja operohet nga vetë Dogana. Po ashtu, mallrat e renditura në ambiente të autorizuara do të jenë nën mbikëqyrjen doganore.

“Me përjashtim të parashikimit që personi që kërkon autorizimin do të vendoset në Kosovë, Kodi nuk përcakton kushte të tjera specifike të autorizimit për funksionimin e depos doganore”, shpjegohet në raport.

Gjithashtu, kodi doganor dhe i akcizave në Kosovë parashikon që çdo importues ose eksportues mund të caktojë përfaqësues për t’u marrë me formalitetet doganore. E në rastet e tilla, përfaqësimi mund të jetë i drejtpërdrejtë, në këtë rast përfaqësuesi doganor do të veprojë në emër të importuesit ose eksportuesit, ose indirekt, në këtë rast përfaqësuesi doganor do të veprojë në emrin e tij ose të saj, por në emër të importuesit ose eksportuesit.

Sipas Ministrisë së Tregtisë në Kosovë, kjo është në harmoni edhe me Rregulloren e BE-së Nr. 952/2013, ku përdorimi i përfaqësuesve doganor nuk është as i detyrueshëm dhe as i kufizuar në një klasë të caktuar profesionale.

Kështu, sipas tyre, përfaqësuesi në Kosovë duhet të jetë mbajtës i licencës së lëshuar nga Dogana e Kosovës, kandidati që aplikon për licencë duhet të ketë të paktën 6 muaj përvojë pune në fushë, të ketë të paktën shkollim të mesëm, dhe të kalojë me sukses provimin profesional të organizuar nga Dogana. Ndërsa, ndryshe nga Kosova, përfaqësuesve të doganave që veprojnë brenda BE-së nuk u kërkohet të mbajnë licencë. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/