Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë, ka bërë të ditur se pas pranimit të të gjithë komenteve në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, do të dalin me një raport përfundimtar rreth tarifave të reja të energjisë.
Afati për dhënien e komenteve mbyllet më 31 janar në ora 16:00.
ZRRE-ja gjatë procesit të konsultimit publik, deri më tani ka pranuar komente nga palë të ndryshme të interesit si: Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Kompania Kosovare për Shpërndarje të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).
Zyra e Presidentit të Kosovës ka dërguar komente në ZRRE lidhur me tarifat e propozuara, duke kërkuar që të respektohet parimi i mosdiskriminimit.
“Për Presidenten e Republikës së Kosovës, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, kërkohet nga ZRRE që, ashtu siç e ka cekur vet në dokumentin e publikuar, të sigurohet që ‘konsultimi publik’ [të jetë] në qendër të politikave rregullatore efektive. Respektivisht, ZRRE-ja ftohet që me seriozitet t’i trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend’”, tha zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën kanë bërë të ditur se edhe ata kanë dërguar komentet e tyre në ZRRE.
Kryesuesi i Bordi të ZRRE-së, Ymer Fejzullau, në një konferencë për media, të hënën tha se në mbledhjen e ardhshme të bordit do të bëhen publike tarifat e reja të energjisë.
Fejzullahu nuk ka saktësuar datën se kur pritet të mbahet kjo mbledhje.
“Pas pranimit të komenteve, ZRRE-ja do të dalë me një raport përfundimtar ku do t’i përgjigjet këtyre komenteve dhe do të vendosë mbi të hyrat e lejuara maksimale për të licencuarit e rregulluara, përkatësisht tarifat”, tha Fejzullahu.
Shqyrtim i jashtëzakonshëm i tarifave të energjisë elektrike është bërë me qëllim që të reflektojë mbi çmimet e ngritura të importit të rrymës, si pasojë e krizës globale energjetike.
Aktualisht, konsumatorët e Kosovës paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.
ZRRE-ja ka dalë me propozimin për rritje të faturave më 17 janar. Ajo ka bërë ndarjen e konsumatorëve në pesë kategori: A, B, C, D, E.
Siç shpjegohet në Raportin Konsultativ të ZRRE-së, rritja e çmimit të energjisë prek vetëm dy kategori të amvisërive, D dhe E, përkatësisht ata qytetarë që shpenzojnë mbi 800, përkatësisht mbi 1,000 kilovatë.
Për kategorinë D, që shpenzon 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 12 euro e 31 centë.
Për qytetarët në kategorinë E, që shpenzojnë 1,000 kilovatë orë energji elektrike në muaj, fatura pritet të rritet për 24 euro e 62 centë.
Partitë opozitare kanë kundërshtuar propozimet për rritje të çmimit të energjisë.
Të shtunën në Prishtinë është mbajtur një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Ndërkohë, që rritja e faturave të energjisë elektrike të mos jetë aq e lartë dhe të mos bëhet e papërballueshme për një kategori të qytetarëve, Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 75 milionë eurosh në formë subvencionimi.
Këto subvencione vlejnë edhe për bizneset, për të cilat – edhe pas propozimit të ZRRE-së nëse miratohet – nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike.