ZRRE përcakton të Hyrat e Lejuara për KESCO-n për periudhën 2022-2024

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE), ka mbajtur seancën e parë për këtë vit, në të cilën u morën disa vendime në fushën e energjisë.

Si pikë e parë e rendit të ditës të kësaj mbledhjeje ishte shqyrtimi i të Hyrave të Lejuara dhe Shpenzimeve Operative për Furnizuesin Universal të Shërbimeve në Kosovë, që në këtë rast është kompania KESCO, për periudhën 2022-2024, përcjell Buletini Ekonomik.

Pas shqyrtimit të kësaj pike nga Bordi, ky i fundit mori vendim për vlerat e  parametrave të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në përcaktimin e Të Hyrave të Lejuara të Furnizuesit me Shërbim Universal (FSHU) për periudhën 2022-2024.

Reklama e sponzorizuar

Sipas një njoftimi për media nga ZRRE, këta parametra përfshijnë Shpenzimet Operative, Faktorin e Efikasitetit, Jetëgjatësinë e aseteve, Borxhin e Keq, Marzhën me pakicë dhe Faktorin Ndarës të Jobalanceve, përcjell Buletini Ekonomik.

Përpos kësaj, Bordi i ZRRE-së ka marrë edhe vendime tjera që kanë të bëjnë me dhënien e autorizimeve për VET-KONSUM, për pesë aplikues, të cilët pranë kësaj zyreje kanë parashtruar kërkesën për lejimin e prodhimit të energjisë elektrike nga burimet fotovoltaike/solare.

Kapaciteti i energjisë së prodhuar nga këta aplikues nga burimet solare, pritet të jetë prej 262.61 kË.

Këto ndërmarrje që tashmë janë licencuar nga ZRRE-ja, që kanë kërkuar autorizim për vet-konsum janë: “PROEX” SH.P.K (Mitrovicë), “INTERING” SH.P.K, NTPV – T “KASTRATI”, “HIB PETROL” SH.P.K dhe “ECPRESS POSTA” SH.P.K.

“Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e sektorit si dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji”, përfundon kominikata nga ZRRE. /Buletini Ekonomik/