ZRRE shtyn afatin për dërgimin e komenteve për tarifat e reja të energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se ka shtyrë afatin për dërgimin e komenteve për raportin konsultativ për tarifat e reja të energjisë, të propozuara ditë më parë.

Sipas tyre, kjo shtyrje e afatit është bërë për shkak të interesimit të palëve të interesit për të ofruar komente në raportet e publikuara për konsultim publik, si më poshtë:

-Raportin mbi të Hyrat e Lejuara Maksimale (HLM) të Furnizuesit të Shërbimit Universal, të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), dhe

Reklama e sponzorizuar
  • Raportin Konsultativ që paraqet qëndrimet e ZRRE-së për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin me energji elektrike për konsumatorët.

Përmes një njoftimi, nga ZRRE-ja bëjnë të ditur se afati i ri i fundit për dërgimin e komenteve në ZRRE, do të jetë data 31 janar 2022, ora 16:00h.

“Palët që dëshirojnë të shprehin komentet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së ftohen t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim në adresën ero.pricing‐tariffs@ero‐ks.org”, thuhet në një komunikatë për media nga ZRRE./Buletini Ekonomik/