Sektori mikrofinanciar në Kosovë gjatë vitit 2021, saktësisht deri në dhjetor, ka arritur të regjistrojë 14.3 milionë euro fitim neto.
Nëse e krahasojmë me një muaj përpara, pra me muajin nëntor, kur profiti neto i institucioneve mikrofinanciare ishte 12.9 milionë euro, në muajin dhjetor në këto institucione fitimet u rritën për 1.4 milionë euro.
Bazuar në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “SISTEMIT FINANCIAR, INFORMATA MUJORE DHJETOR 2021”, shihet se të hyrat e institucioneve mikrofinanciare në vend arritën në 48.8 milionë euro në muajin dhjetor, përcjell Buletini Ekonomik.
Krahasuar me një muaj më herët, pra me muajin nëntor, në muajin dhjetor të hyrat u rritën për 4.4 milionë euro, pasiqë deri në nëntor shuma e të hyrave tek institucionet mikrofinanciare ishte 44.4 milionë euro.
Nga gjithsej 48.8 milionë i të hyrave në muajin dhjetor, 43.4 milionë prej tyre ishin të hyra vetëm nga interesi.
Ndërkohë, shpenzimet në sektorin mikrofinanciar në muajin dhjetor kapën vlerën e 34.5 milionë eurove. Nga e gjithë kjo shumë e shpenzimeve, 19.4 milionë prej tyre ishin për shpenzime të personelit dhe shpenzime administrative, ndërkohë 8.1 milionë euro të tjera shkuan për shpenzime të interesit.
Tutje në raport theksohet se kreditë e dhëna nga institucionet mikrofinanciare për qytetarët, në fund të muajit nëntor arritën në 238.3 milionë euro, ku 155.6 milionë euro u lëshuan për ekonomitë familjare, ndërsa 82.7 milionë të tjera u dhanë për korporata jo financiare. Kurse norma e interesit në kredi u shpreh në një përqindje prej 19.4%
Ndryshe, në Kosovë funksionojnë gjithsej 30 institucione mikrofinanciare, ku 12 prej tyre janë në pronësi të huaj. Numri i degëve të këtyre institucioneve në vend është 158, ndërkohë që numri i të punësuarve është 1 mijë e 284. (Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/








