INDEP: Konsumatorët janë të rrezikuar nga jofunksionaliteti i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë shprehur shqetësimin e tyre për mosfunksionalizimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK) pas rritjes së njëpasnjëshme të çmimeve të produkteve.

Me anë të një reagimi ata kanë thënë se kërkojnë nga Qeveria që urgjentisht të procedojë emrat për anëtar të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, pasiqë sipas tyre gjendja në treg është shumë e keqe dhe e rrezikshme për konsumatorët dhe se në treg janë rritur njëtrajtshëm të gjitha çmimet te të gjitha bizneset, përfshirë çmimi i bukës, i të gjitha produkteve ushqimore, derivateve të naftës e shërbimeve.

Në një postim të Mbrojtësve të Konsumatorëve në facebook thuhet se ka shumë dyshime për marrëveshje të fshehta dhe dakordime mes bizneseve për fiksim të çmimeve.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tyre, funksionalizimi i AKK-së është i domosdoshëm në mënyrë që tregu të rregullohet dhe institucioni të mund të veprojë për mbrojtjen e konkurrencës, mandat ky ligjor për të cilin është i thirrur. Andaj në bazë të kësaj, INDEP pret që kjo kërkesë të trajtohet me prioritet nga Qeveria dhe që brenda muajit të ardhshëm të kemi një AKK funksionale dhe në krye të detyrës.

INDEP tutje thekson se funksionalizimi i AKK-së në tregun e tanishëm që po i shkel të drejtat e konsumatorëve dhe po ç’ekuilibron konkurrencën e tillë është çështje që tejkalon çdo agjendë politike.

“Sipas Ligjit nr. 03/L-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është organi kyç për mbrojtjen e konkurrencës dhe rrejdhimisht, garantimin e mbrojtjes së konsumatorëve. Me ligj, AKK-ja është institucion i pavarur që i raporton drejtpërdrejt Kuvendit të Kosovës, por që struktura e tij propozohet nga Qeveria e Kosovës. Kryetarit, nënkryetarit dhe tre anëtarëve të Bordit të AKK-së iu ka skaduar mandati pesëvjeçar me 9 qeshor, 2021. Që prej atëherë AKK-ja është jofunksionale, pa Komision për Mbrojtjen e Konkurrencës – pjesës kryesore për funksionim, pa të cilën AKK mbetet e bllokuar. Qeveria qe 7 muaj nuk ka propozuar emrat e rinjë, duke e lënë institucionin praktikisht pa asnjë mundësi për intervenim dhe mbrojtje të konkurrencës”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata gjithashtu thonë se qeveria përpos që nuk e ka respektuar ligjin, edhe e ka shkeluar atë, ngaqë ligji nr. 04/L-226 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/l-229 për Mbrojtjen e Konkurrencës, Neni 25, paragrafi 5 thekson se:“Qeveria, gjashtëdhjetë (60) ditë para përfundimit të mandatit të anëtarëve të Komisionit, ia propozon Kuvendit për emërim ose riemërim kandidatin për anëtarë të Komisionit.” Qartazi, ky afat kohor nuk është respektuar e shkelja veç është thelluar.

Sipas INDEP, është urgjente që Qeveria të kryejë detyrën e saj ligjore – të propozojë 5 emrat e anëtarëve të rinjë të Komisionit të AKK-së, vendim ky që do të ç’bllokonte Autoritetin.

Ata thonë se specifikisht, Komisioni i AKK-së drejton dhe organizon tërë punën dhe veprimtarinë e AKK-së dhe se nisur nga fakti se Kryetari i këtij Komisioni dhe anëtarët tjerë të Komisionit të AKK-së janë personat me më së shumti përgjegjësi institucionale për mbrojtjen e konkurrencës në treg, është e patolerueshme që Qeveria të zvarrisë përzgjedhjen e re të anëtarësisë të këtij Komisioni, duke shkaktuar shumë mangësi të tjera zingjirore në mbrojtjen e konkurrencës në treg dhe mbrojtjen e konsumatorit.

Krejt në fund thuhet se Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) i ka dedikuar një komponentë të punës programatike avancimit të agjendës për mbrojtjen e konsumatorit në vend.  Andaj siç thonë ata, puna e INDEP-it fokusohet në monitorimin e kornizës ligjore e cila është e vendosur për të garantuar mbrojtjen e konsumatorit fillimisht, në informimin e qytetarëve për të drejtat e tyre, si dhe monitorimin e parakushteve që sigurojnë treg të drejtë dhe të hapur, sipas rregullave të tregut europian.

“Nga puna që bën INDEP përmes platformës ‘Mbrojtësit e Konsumatorëve’, keqpërdorimet dhe shkeljet e të drejtave të konsumatorëve janë të shpeshta dhe lehtë të evidentueshme përmes punës sonë dhe krijimit të urave lidhëse mes konsumatorëve dhe institucioneve, konsiderojmë se është arritur një gjendje e përmirësuar e mbrojtjes së konsumatorëve në treg. Pavarësisht, problemet me konkurrencën e drejtë dhe tregun e çrregulluar vazhdojnë. Rritja enorme e çmimeve që ka nisur në pranverën e 2021, e është prezente ende dhe shkeljet e sipërpërmendura janë tepër shqetësuese. Pa AKK, përmirësimi i gjendjes është i pamundur”, përfundon reagimi i tyre./Buletini Ekonomik/