AVONET: Mungesa e kontrollit në tregun e brendshëm po ndihmon korrupsionin dhe abuzimin, veçanërisht në industrinë e naftës

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare -AVONET, përmes një deklarate për media, kanë konkluduar se informaliteti në industrinë e naftës në Kosovë është i përhapur, dhe se qeveria duhet të ndërmarrë veprime për ta ndalur këtë fenomen.

Duke iu referuar raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, informaliteti konsiderohet si një problem serioz dhe se qeveria duhet të bëjë më shumë për të kontrolluar tregun e brendshëm dhe për të siguruar cilësi, për të mbrojtur konsumatorin, si dhe kompanitë formale, të cilat edhe paguajnë taksa.

Nga AVONET thonë se raporti i FMN-së tregon se në Kosovë kemi një problem të veçantë me evazionin fiskal si rezultat i ekonomisë joformale dhe në të përmendet mungesa e një Bordi funksional në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) që nga marsi i vitit 2021.

Reklama e sponzorizuar

Raporti i FMN-së tregon se qeveria duhet të zgjerojë bazën tatimore dhe të luftojë informalitetin. Nivelet e larta të informalitetit në Kosovë ndikojnë negativisht në konkurrencën e ndershme në treg, kushtet e punës dhe zhvillimin e kompanive, dhe kështu kufizohet rritja ekonomike.

Sipas Bankës Botërore dhe BE-së, sektori joformal i Kosovës përfaqëson një të tretën e punësimit total në vend. Por, konstatohet se informaliteti i lartë e dëmton bazën tatimore që kufizon buxhetin shtetëror për arsimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën.

Kurse, një fushë e veçantë ku informaliteti është i përhapur, nga AVONET thonë se është industria e naftës dhe se qeveria ende nuk ka marrë mdonjë hap të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet në këtë sektor, që përfshin evazionin fiskal, si dhe hollimin dhe përzierjen e naftës. Problemet që ka Kosova me mungesën e kontrollit efektiv të cilësisë së naftës janë të dokumentuara mirë nga institucionet e Kosovës, gazetaria investigative dhe raportet ndërkombëtare, shtojnë ata.

Sipas kësaj organizate, në Kosovë kemi të bëjmë me përzierje dhe hollim të naftës nga kompanitë që të rrisin fitimet e tyre, duke shtuar se mungesa e cilësisë së naftës në Kosovë është e dëmshme për shëndetin publik dhe po ashtu dëmton veturat e secilit qytetar duke rritur kostot e mirëmbajtjes së tyre.

“Krahas kësaj, praktikat korurptive nga kompanitë e naftës dëmtojnë buxhetin publikë duke shmangur pagesën e taksave”, thuhet në komunikatën e tyre.

“AVONET sot ka performuar kundër mungesës së kontrollit të cilësisë së naftës në Kosovë dhe kundër mosveprimit të qeverisë. Kjo qeveri po sillet si një aleate e industrisë së naftës kundër interesit publik. Kemi dëgjuar se si Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës ka qenë pjesë dhe ka mbështetur ligjet e nisura nga kjo qeveri në lidhje me naftën që është një indikator i fuqishëm se kjo qeveri po mbron interesat e naftëtarëve dhe jo të qytetarëve”, përfundon e njëjta. /Buletini Ekonomik/