Krijimi i një entiteti financiar, siç është Tregu i Kapitalit në Kosovë, ndonëse vlerësohet se nuk është proces i lehtë, megjithatë nuk mendohet se është edhe krejt i pamundur të krijohet. Kështu vlerëson njohësi i tregjeve financiare, Emanuel Bajra, në një intervistë për Buletinin Ekonomik.
Ai thotë se Kosova e ka “brumin” për Treg të Kapitalit, e që janë kompanitë e ndryshme si dhe shpirti ndërmarrës i bizneseve në vend.
Përpos këtyre, edhe Fondi Sovran i cili është një hapa para krijimit, Bajra vlerëson se do ta ri-pozicionojë ekonominë kosovare brenda dhe jashtë, pasi sipas tij, të gjitha asetet kombëtare të vendit do të deshifrohen e ri-vlerësohen.
Sipas Bajrës, Kosova ka gjithashtu edhe një infrastrukturë të mirë fizike dhe financiare, pasiqë vendi ynë posedon një sistem bankar me kapital depozitues të konsiderueshëm, qarkullim efektiv të transaksioneve si edhe një nivel të respektueshëm të kredi-marrjes dhe kreativitetit, si edhe një konsumator të etshëm për diçka të re.
“Tregu i kapitalit do të mund të ishte entitet i integruar brenda bursës së Kosovës/Prishtinës me indeksim të 20 kompanive më profitabile si psh: (PriStock 20), pastaj do të kishim indeksuar 100 kompanitë tjera (PriStock 100) si edhe TechStockPri 50, AgriStockPri 100 dhe All-in-All-PriStock 000”, vlerëson Emanuel Bajra.
Por, çka janë gjitha këto?
Bajra thotë se prej 185,000 kompanive pjesëmarrëse, indeksimi i tyre do të ishte kategorizuar në bazë të sektorit që këto kompani operojnë, pastaj Fondi Sovran nëpërmjet kontrollimit të sistemit vlerësues të burimeve të kapitalit, do të mund të përcaktonte vlerën monetare të çdo entiteti biznesor me pjesëmarrje direkte në tregun e brendshëm të kapitaleve, metriksin e kalkulimit të Ekuitetit, borxheve dhe obligimeve tjera etj.
Më pastaj si fazë tjetër, do të bëhej edhe indeksimi i çdo kompanie pjesëmarrëse, që do të mund të mbarte me vete një numër reference brenda bursës, numër që në bazë të dinamikës së pjesëmarrjes në treg, e përcakton edhe vlerën e kësaj kompanie para dhe pas tregtimit.
Bajra e shpjegon këtë me një shembull konkret: “Pra, ta zëmë nëse Agon S Plc tregton me Emanuel B ltd në një ditë, duke shit-blerë në vlerë prej €20k secili, atëherë vlera e secilit përcaktohet e ekuilibruar në një transaksion paralel në ‘real time’, por merr vlerësim tjetër nëse Agon S Plc tregton me, ta zëmë Vala Co, dhe vlera e shit-blerjes (shërbime ose produkte) është €100k, ndërsa Emanuel B Ltd tregton me, ta zëmë Devolli Corp, me vlerë tregtimi prej €50k – ekuilibri këtu humbet pasi që Agon S Plc vlerësohet në fund të ditës së tregtimit me një metriks më të madh në bursë e kështu më rradhë”.
Bajra njëkohësisht ka qenë edhe anëtar i Grupit Punues për projektimin e draft-projektligjit për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës. Ai në këtë intervistë për Buletinin Ekonomik ka shtuar se Grupi Punues për Fondin Sovran e ka parashikuar edhe themelimin e Akademisë së Fondit që do të mund të ndërtonte bazamentet për tregtarët e ardhshëm të aksioneve dhe akterët në tregjet financiare. Sipas tij, një valë dinamike e rekrutimit nga Fondi Sovran në të ardhmen, do të mund të ndihmonte në përshpejtimin e themelimit të Bursës.
Megjithkëtë, njohësi i tregjeve financiare vlerëson se është vetë-shkatërruese për energjitë e krijuara dhe kohën që do të mund ta kishim shpenzuar për themelimin e tregut të kapitalit të Kosovës, nëse ne nuk krijojmë CBDC-në tonë ose valutën dixhitale të Kosovës, pasi sipas tij, kjo është nëna që do ta mundësojë lindjen e një tregu të kapitalit të suksesshëm të Kosovës. /Buletini Ekonomik/











