AKP vë nën administrim të drejtpërdrejtë Ndërmarrjen “AgroKosova Holding”

Agjencia Kosovare e Privatizimit -(AKP)

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka njoftuar se Bordi i Drejtorëve të kësaj agjencie, dje ka marrë vendim për tërheqjen e aksioneve dhe vënien nën administrim të drejtpërdrejtë të ndërmarrjes AgroKosova Holding, apo ish ndërmarrja shoqërore “NBI Suhareka”.

Ndërmarrja Shoqërore “NBI Suhareka/Agrokosova Holding”, sipas AKP-së është privatizuar më datë 27 gusht 2007 nga Blerësit “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI”, përmes metodës së Spin Off-it Special në valën e 19-të të shitjes në vlerë prej 4 milionë e 175 mijë e 999 eurove. Mirëpo, për shkak të mospërmbushjes së zotimeve të marrëveshjes dhe shkeljeve të rënda të kushteve të kontratës, AKP-ja thotë se është detyruar ta vë nën administrim të drejtpërdrejtë këtë ndërmarrje, përcjell Buletini Ekonomik.

Zotimet e kontraktuara (nga blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova Holding) në këtë kontratë janë si në vijim:

Reklama e sponzorizuar
  1. Zotimet për Investime: 8,600,000.00 Euro;

Sipas Marrëveshjes së Zotimeve, tek pika 2, zotimet për investime kapitale, blerësi zotohet se ndërmarrja do të investoj minimum 8,600,000.00 Euro në investime kapitale brenda periudhës 2 vjeçare.

  1. Zotimet për Punësim: Sipas pikës 3 të Marrëveshjes së Zotimeve, tek zotimi për punësim, blerësi zotohet se:

Gjatë vitit të parë:

3.1.1. Të punësoj minimum 172 punëtorë për 6 muajt e parë;

3.1.2. Të vazhdoj punësimin e këtij numri të punëtorëve deri në 1 vit;

Gjatë vitit të dytë:

3.2.1. Të punësoj minimum 345 punëtorë;

3.2.2. Të vazhdoj punësimin e këtij numri të punëtorëve deri në fund të periudhës së zotimit.

Ndërkohë, si rezultat i mospërmbushjes së Marrëveshjes së Zotimeve, AKP nga viti 2011 deri në vitin 2013, thotë se i ka lëshuar Blerësit ndëshkimet financiare në vlerë prej 3,579,997.53 Euro, për të cilat ndëshkime Blerësi ka bërë ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS). Por, ende nuk ka ndonjë vendim përfundimtar të DHPGJS për këtë rast gjyqësor.

Që nga fillimi i periudhës së zotimeve e deri në shtator 2019, në Ndërmarrjen e Re “Agrokosova Holding” janë realizuar pesë auditime të jashtme nga Auditorë të pavarur, ku sipas tyre, blerësi dhe Ndërmarrja e Re ‘Agrokosova’ kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, sepse zotimin për punësime e kanë përmbushur vetëm 24.67% të zotimit të punësimit përgjatë tërë periudhës së zotimeve, pra nga viti 2007 e deri më 15 prill 2017.

Nga auditimi i ndërmarrjes ka dalë se punësimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë 759 punëtorë (përgjatë tërë periudhës së zotimeve të shpërndarë nëpër vite) nga numri prej 3,075 punëtorëve, siç ishte zotimi për punësime sipas kontratës.

Në anën tjetër, shkelje e kontratës është edhe fakti se edhe zotimin për investime e kanë përmbushur vetëm në 85.79% të zotimit për investime përgjatë tërë periudhës së zotimeve, pra nga viti 2007 e deri më 15 prill 2017. Investimet e verifikuara nga auditorët e jashtëm kanë qenë EUR 7,378,005.82 nga vlera prej EUR 8,600,000.00 të zotuara sipas kontratës.

“Bazuar në raportet e auditorëve të jashtëm, vërtetohet qartë se Blerësi dhe Ndërmarrja e Re Agrokosova Holding sh.p.k. kanë bërë shkelje të rëndë të kushteve të kontratës, respektivisht nenit 6.2.2.a të Marrëveshjes së Zotimeve për shkak se as nuk kanë përmbushur zotimet për investime e as nuk kanë përmbushur zotimet për punësime”, thuhet në njoftimin për media nga AKP.

Gjithashtu, AKP-ja shpjegon se raporti i auditimit të jashtëm ka konstatuar se Blerësi ka dëmtuar dhe zbritur vlerën e ndërmarrjes me anë të përfitimit joligjor kur është bërë shpronësimi i disa parcelave të ndërmarrjes nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin e autostradës për Vermicë. Me këtë rast, mjetet e shpronësimit në vlerë prej rreth 630,000.00 euro janë transferuar në llogarinë personale të njërit prej aksionarëve të “Gruppo Vinicolo Fantinel spa” në Bankën Teb dhe jo në llogarinë e ndërmarrjes.

Tutje, AKP-ja njofton se si rrjedhojë e këtyre shkeljeve të njëpasnjëshme të kontratës, në përputhje me kompetencat dhe mandatin ligjor si dhe në përputhje me Marrëveshjen e Zotimit, Bordi i Drejtorëve të AKP-së ka aprovuar tërheqjen e aksioneve të Ndërmarrjes së Re “AgroKosova Holding sh.p.k.” Suharekë dhe kthimin e tyre në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si dhe është marrë vendimi që të kërkohet nga Blerësi (aksionari QMI sh.p.k. dhe Gruppo Vinicolo Fantinel s.p.a) i Ndërmarrjes së Re ‘Agrokosova’ që t’i kthejë mjetet e shpronësimit, në vlerë të 630 mijë eurove, të cilat i janë paguar nga Qeveria e Kosovës për shpronësimin e disa pronave të ndërmarrjes për nevoja të autostradës, konkretisht asaj në Vërmicë.

Sipas AKP-së, ky veprim për vënien nën administrim të drejtpërdrejtë të kësaj ndërmarrjeje, ka për qëllim funksionim më të mirë të ndërmarrjes, zvogëlim të shpenzimeve, rritje të të hyrave si dhe rritje të vlerës së ndërmarrjes gjatë kësaj periudhe deri në një vendim përfundimtar. /Buletini Ekonomik/