Ambasadorja Butel: Kosova duhet të miratojë strategji afatgjate energjetike

Duke folur për krizën energjetike që ka përfshirë edhe Kosovën, ambasadorja franceze në Kosovë, Marie-Christine Butel, tha se pandemia me Covid-19 ka prekur rëndë ekonominë dhe kjo shpie edhe në çrregullim të furnizimit dhe rrjedhimisht në mungesa dhe rritje të çmimit të lëndëve të para, duke filluar nga energjia.

“Është një fenomen mbarë botëror. Është e kuptueshme që në këto kushte, marrja e vendimeve është e vështirë si për qeveritë ashtu edhe për kompanitë. Rasti i energjisë, qoftë nafta, gazi apo energjia elektrike, është më karakteristik, sepse çështja e çmimit, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në fuqinë blerëse të familjeve dhe konkurrencën e kompanive, i shtohen çështjet gjeostrategjike dhe angazhimet e marra në nivel evropian në drejtim të dekarbonizimit dhe zhvillim të qëndrueshëm”, tha ajo në një intervistë.

Diplomatja franceze ka thënë se është e rëndësishme që Kosova sa më shpejt të miratojë një strategji energjetike që përcakton se cila do të jetë përbërja e burimeve energjetike të vendit në 10, 20 apo edhe 30 vitet e ardhshme.

Reklama e sponzorizuar

“Vendimet që merren tani  kanë të bëjnë me angazhime afatgjata. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që Kosova të jetë në gjendje të miratojë shpejt një strategji energjetike që përcakton se cila do të jetë përbërja e burimeve energjetike të vendit në 10, 20 apo edhe 30 vitet e ardhshme”, ka thënë ajo.

Ajo për fund, ka thënë se Kosova ka shumë reforma për të kryer dhe veçanërisht zbatimi i ligjeve ekzistuese. /Front Online/