ATK shpjegon procedurën e mbylljes së bizneseve

Procedurat e mbylljes apo ç’regjistrimit të një biznesi zakonisht marrin pak kohë. Por, tatimpaguesit në Kosovë gëzojnë të drejtën të kërkojnë mbylljen e biznesit vetëm pasi t’i kenë kryer të gjitha obligimet tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), përkatësisht pasi ta kenë paraqitur bilancin e mbylljes së detyrimeve tatimore.

Mirjeta Shabani

Të gjitha bizneseve në Kosovë, të cilat nuk janë duke zhvilluar ndonjë aktivitet ekonomik dhe të njëjtit nuk planifikojnë të vazhdojnë më tutje me zhvillim të aktivitetit, iu kërkohet që t’i ç’regjistrojnë bizneset e tyre në ATK.

Reklama e sponzorizuar

E për këtë, bazuar në Ligjin Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore të Kosovës, tatimpaguesi duhet ta informojë ATK-në me një kërkesë me shkrim për pushim të veprimtarisë, e cila duhet të dorëzohet fiks 60 ditë para planifikimit për mbyllje të biznesit. Në këto raste, nëse tatimpaguesi i ka të shlyera të gjitha obligimet tatimore ndaj ATK-së, kjo e fundit vazhdon tutje me procedurat e ç’regjistrimit të biznesit të parapara me Legjislacionin Tatimor.

Pra, për të mbyllur biznesin tuaj, duhet së pari të parashtroni kërkesë për Ç’regjistrim të biznesit. Kjo kërkesë duhet të parashtrohet në zyrën përkatëse Rajonale të Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në ATK, dhe si e tillë trajtohet më tutje nga operativa në Drejtorinë Rajonale.

Ndërkohë, nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë thënë për Buletinin Ekonomik se në bazë të ligjit për ATK-në, kjo e fundit duhet që brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve ta shqyrtojë kërkesën e tatimpaguesit.

Dhe nëse tatimpaguesi i plotëson të gjitha kushtet e parapara me Ligj, pra, nëse nuk ka ndonjë obligim tatimor të pashlyer ndaj ATK-së, kjo e fundit duhet ta pajisë atë me Vërtetim Tatimor me arsyen “Çregjistrim të biznesit”, i cili brenda 10 ditëve duhet të dërgohet nga tatimpaguesi në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve të Koosvës (ARBK), me qëllimin që edhe atje të mund të bëhet çregjistrimin i biznesit në të njëjtën kohë.

Ndërsa, në rast se nuk plotësohen kushtet e parapara me ligj, ATK duhet të njoftojë tatimpaguesin me shkrim se nuk i plotëson kushtet për çregjistrim të biznesit, por nëse ATK-ja, nuk informon tatimpaguesin, si me përgjigje pozitive apo negative brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve, atëherë bazuar në paragrafin 5 të nenit 12 të Ligjit Nr. 03/L-222, tatimpaguesi konsiderohet të jetë i ç’regjistruar.

“5. Në rast se brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga data e marrjes së kërkesës për çregjistrim nga tatimpaguesi, ATK-ja nuk ka njoftuar tatimpaguesin sipas paragrafit 3. i këtij neni, tatimpaguesi do të konsiderohet të jetë i ç’regjistruar”, thuhet në përgjigjet nga ATK-ja, duke cituar Ligjin për ATK-në.

Në rastet kur tatimpaguesi vendos të mbyllë veprimtarinë, duhet të njoftojë ATK-në me shkrim, duke ia bashkangjitur këto të dhëna:

– Emrin dhe adresën e tatimpaguesit;

– Numrin Fiskal të tatimpaguesit;

– Numrin personal të pronarit, nëse është ndërmarrje afariste personale;

– Shumën e borxhit tatimor të mbetur, nëse ka,

– Një deklaratë se biznesi pushon dhe një kërkesë për të ç‘regjistruar biznesin në përputhje me dispozitat e aplikueshme ligjore,

– Datën e pritur për pushimin e veprimtarisë afariste,

– Kopjen e vendimit të organit drejtues (nëse është Shoqëri Aksionare apo Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar), i cili autorizon ndërprerjen e veprimtarisë të nënshkruar nga zyrtarët e autorizuar,

– Kopjen e marrëveshjes së ortakërisë (nëse është Ortakëri, shoqëri e personave apo konsorcium) e nënshkruar nga të gjithë ortakët, anëtarët e shoqërisë së personave, apo anëtarët e konsorciumit, e cila pasqyron marrëveshjen për të ndërprerë aktivitetin afarist të ortakërisë, shoqërisë së personave, apo konsorciumit,

– Kopjen e bilancit të gjendjes përmbyllëse të paraparë dhe pasqyrat tjera që lidhen me të, si dhe

– Një autorizim nga tatimpaguesi për të dorëzuar dokumentet e tilla.

Kurse, dokumentacioni i nevojshëm për marrjen e vërtetimit tatimor për mbyllje të biznesit, është ky:

  1. Kërkesa (që merret në Zyrën Regjionale të Shërbimit apo ueb faqe të ATK-së dhe plotësohet),
  2. Kopja e Çertifikatës Fiskale,

3.Kopja e letërnjoftimit të pronarit/menaxherit apo kopja e autorizimit nga pronari/menaxheri nëse vjen përfaqësuesi,

  1. Gjendja e përgjithshme merret në sportel të shërbimit, si dhe
  2. Kopjet e deklaratave të pa procesuara dhe kopjet e letërkujtesave, marrëveshjeve për pagesë me këste (nëse tatimpaguesi ka obligime të pashlyera).

Ndërkohë, nëse kërkesa e tatimpaguesit është aprovuar dhe lëshohet vërtetimi tatimor për mbyllje të biznesit, vërtetimi i tillë mund të merret apo tërhiqet vetëm atëherë kur tatimpaguesi dorëzon (kthen): Çertifikatën origjinale të Numrit Fiskal dhe Çertifikatën origjinale të TVSh-së. /Buletini Ekonomik/