Mirë se vini në epokën e shtetit kontrollues. Shtetet në mbarë botën duan t’i nënshtrojnë kompanitë sipas vullnetit të tyre, shkruan The Economist
Marrëdhënia midis qeverive dhe bizneseve është gjithmonë në ndryshim. Pas vitit 1945, shumë vende kërkuan të rindërtonin shoqërinë, duke përdorur firmat që ishin në pronësi shtetërore dhe të menaxhuara nga shteti. Nga vitet 1980, pasi u nxor një mësim nga blloku komunist, qeveritë u tërhoqën për t’u bërë një arbitër që thjesht mbikëqyr rregullat për firmat private që konkurrojnë në një treg global.
Tashmë duket se po nis një fazë e re dhe e turbullt, teksa qytetarët po kërkojnë veprime për zgjidhjen e problemeve të ndryshme, nga drejtësia sociale te klima. Si përgjigje, qeveritë po i orientojnë firmat për ta bërë shoqërinë më të sigurt dhe më të drejtë, por pa kontrolluar aksionet ose bordet e tyre. Në vend të një pronari apo arbitri, shteti tashmë është kthyer në një ndihmës shofer. Kjo ndërhyrje e madhe në punët e biznesit, ka qëllime të mira, por sidoqoftë, është e gabuar.
Shenjat e kësaj qasjeje të re ndihen kudo. Presidenti Joe Biden po ndjek një axhendë të proteksionizmit të butë, subvencioneve industriale dhe ligjeve rregullatore, me synimin për t’i bërë tregjet e lira më të sigurta për shtresat e mesme. Në Kinë, ligji i “prosperitetit të përbashkët” nga Xi Jinping, është projektuar me qëllimin për të frenuar bumin e pandalshëm dhe për të krijuar një skenë biznesi më të vetëmjaftueshme, më të butë dhe më të bindur.
Ndërkohë, Bashkimi Europian po largohet nga tregjet e lira, për të përqafuar politikën industriale dhe “autonominë strategjike”. Ndërsa ekonomitë më të mëdha po ndryshojnë, kështu po ndodh edhe me ato të mesmet, si Britania, India dhe Meksika. Për më tepër, në shumicën e demokracive, dëshira për ndërhyrje, është dypartiake. Të paktë janë politikanët që dëshirojnë të kandidojnë në zgjedhje, duke përkrahur platformën e kufijve të hapur dhe tregjeve të lira.
Kjo ndodh për shkak se shumë qytetarë kanë frikë se tregjet dhe vëzhguesit e tyre nuk mund ta kryejnë punën siç duhet. Kriza financiare dhe rimëkëmbja e ngadaltë ekonomike, rritën zemërimin ndaj pabarazisë. Shqetësime të reja janë shtuar gjithnjë e më shumë.
Dhjetë kompanitë teknologjike më të mëdha në botë, janë dy herë më të pasura se pesë vite më parë dhe ndonjëherë, ato sillen sikur qëndrojnë mbi ligjin. Sfondi gjeopolitik nuk është aspak i ngjashëm me vitet 1990, kur zgjerimi i tregtisë dhe demokracia po ecnin paralelisht, dhe gjendja nuk është e ngjashme as me periudhën e Luftës së Ftohtë, kur Perëndimi dhe Bashkimi Sovjetik kishin pak lidhje ekonomike.
Tani Perëndimi dhe Kina totalitare janë rivalë, por të ndërthurur ekonomikisht me njëri-tjetrin. Pengesat në zinxhirët e furnizimit po shkaktojnë inflacion, duke theksuar perceptimin se globalizimi është i tepruar. Dhe ndryshimi i klimës po bëhet një kërcënim gjithnjë e më urgjent.
Qeveritë po rimodelojnë kapitalizmin global, për t’u përballur me këto shqetësime. Por pak politikanë apo votues duan t’i rikthehen një nacionalizimi total. As vetë presidenti Xi nuk dëshiron të rindërtojë një perandori uzinash hekuri dhe çeliku, të drejtuar nga një grusht komisarësh duhanpirës, ndërsa Biden, pavarësisht nostalgjisë së tij për vitet 1960, mjafton të bëjë një shëtitje përgjatë porteve të bllokuara të Bregut Perëndimor të Amerikës, për t’u kujtuar se pronësia publike mund të jetë shkatërrimtare.
Në të njëjtën kohë, pandemia i ka nxitur qeveritë të eksperimentojnë me politika të reja që ishin të papërfytyrueshme në dhjetor 2019, duke filluar nga ndihmat dhe garancitë me vlerë 5 trilionë dollarë për firmat, deri tek udhëzimet për distancimin fizik të klientëve nëpër dyqane.
Ndërhyrja
Kjo qasje e re ndërhyrëse nga ana e shtetit, po konkretizohet me politika që kanë një natyrë tepër kontrolluese. Disa masa pretendojnë se rrisin sigurinë, duke e përkufizuar atë në një mënyrë shumë të vakët. Grupi i industrive ku drejtimi i qeverisë konsiderohet si legjitim për arsye sigurie, është zgjeruar përtej sektorit të mbrojtjes, duke përfshirë edhe energjinë dhe teknologjinë.
Në këto fusha, qeveritë po veprojnë si një planifikues qendror de facto, duke bërë shpenzime për kërkim dhe zhvillim për të nxitur inovacionin vendas dhe duke dhënë subvencione për të riorientuar shpenzimet kapitale. Për gjysmëpërçuesit, Amerika ka propozuar një skemë subvencioni me vlerë 52 miliardë dollarë, dhe kjo është një arsye pse investimi i kompanisë Intel parashikohet të dyfishohet në krahasim me pesë vjet më parë. Kina po kërkon vetëmjaftueshmëri për gjysmëpërçuesit dhe Europa për bateritë.
Përkufizimi i asaj që konsiderohet si strategjike mund të zgjerohet edhe më tej, duke përfshirë për shembull, vaksinat, përbërësit mjekësorë dhe mineralet. Në emër të sigurisë, shumica e shteteve të mëdha kanë shtrënguar rregullat që kontrollojnë investimet e huaja në vend. Rrjeti i sanksioneve ndëshkuese të Amerikës dhe kontrollet e eksportit në sektorin e teknologjisë, prekin me mijëra individë dhe firma të huaja.
Grupi tjetër i masave synon të rrisë numrin e palëve të interesuara. Aksionerët dhe konsumatorët nuk kanë më parësi të pakontestueshme në hierarkinë e grupeve që firmat i shërbejnë. Menaxherët duhet të peshojnë më shumë faktorë të tjerë, duke përfshirë stafin, furnitorët, madje edhe konkurrentët. Pjesa më e madhe e kësaj është vullnetare, në formën e investimeve për mbrojtjen e biodiversitetit, banorëve vendas apo punëtorëve. Por detyrime të tilla më të gjera mund të jenë të vështira për t’u shmangur nga firmat.
Në Kinë, Alibaba ka premtuar një “dhurim” prej 15 miliardë dollarësh, për kauzën e “prosperitetit të përbashkët”. Në Perëndim, bankat qendrore dhe fondet publike të pensioneve mund të shmangin letrat me vlerë të firmave që gjykohen si antisociale. Agjencia Amerikane Antitrust, e cila dikur mbronte vetëm konsumatorët, po shqyrton qëllime të tjera, si për shembull mbrojtjen e firmave të vogla.
Ambicia për t’u përballur me problemet ekonomike dhe sociale është e admirueshme. Dhe deri tani, të paktën jashtë Kinës, qeveria kontrolluese nuk e ka dëmtuar besimin e biznesit. Indeksi kryesor i tregut të aksioneve në Amerikë, është mbi 40% më i lartë se para pandemisë, ndërsa shpenzimet kapitale nga firmat më të mëdha në botë janë rritur me 11%. Megjithatë, në planin afatgjatë, ekzistojnë tre rreziqe kryesore.
Rreziqet e mëdha
Rreziku i parë është se shteti dhe biznesi, duke u përballur me synime kontradiktore, nuk do të arrijnë të kenë përfitime të ndërsjella. Një firmë e karburanteve fosile, që është e detyruar të ruajë marrëdhënie të mira pune dhe numrin e vendeve të punës, mund të ngurrojë të tkurret, duke dëmtuar kështu klimën.
Një politikë antitrust që ndihmon qindra mijë furnitorë të vegjël, do të dëmtojë dhjetëra miliona konsumatorë, të cilët do të përfundojnë duke paguar çmime më të larta.
Bojkotimi i Kinës për abuzimet me të drejtat e njeriut, mund të privojë Perëndimin nga furnizimet e lira me teknologjitë diellore. Bizneset dhe rregullatorët që janë të përqendruar në një sektor të vetëm, shpesh nuk janë të pajisur për t’u përballur me këto dilema dhe nuk kanë legjitimitetin demokratik për ta bërë këtë.
Rreziku i dytë është zvogëlimi i efikasitetit dhe inovacionit. Dyfishimi i zinxhirëve të furnizimit global do të ishte një nismë jashtëzakonisht e shtrenjtë: firmat shumëkombëshe kanë investime ndërkufitare me vlerë 41 trilionë dollarë. Më i dëmshëm në një periudhë afatgjatë, është dobësimi i konkurrencës.
Firmat që përfitojnë nga subvencionet bëhen të dobëta, ndërsa ato që mbrohen nga konkurrenca e huaj, kanë më shumë gjasa t’i lënë pas dore klientët. Nëse doni të frenoni Facebook, sfiduesi më i madh i tij është TikTok, një kompani kineze. Një ekonomi ku politikanët dhe bizneset e mëdha menaxhojnë sipas dëshirës rrjedhën e subvencioneve, nuk mund të jetë një ekonomi ku lulëzojnë sipërmarrësit.
Problemi i fundit është njëanshmëria për shkak të lidhjeve të ngushta, e cila përfundon duke dëmtuar rëndë bizneset dhe politikën. Firmat kërkojnë avantazhe, duke u përpjekur të manipulojnë qeveritë: ky kufi është zbehur tashmë në Amerikë, ku gjithnjë e më shumë korporata po ndërhyjnë në procesin zgjedhor.
Ndërkohë, politikanët dhe zyrtarët përfundojnë, duke favorizuar firma të veçanta, pasi kanë derdhur para dhe kanë varur shpresat tek to. Po formohet zakoni i ndërhyrjes qeveritare, me qëllim për të zbutur çdo goditje. Në gjashtë javët e fundit, Britania e Madhe, Gjermania dhe India kanë shpenzuar 7 miliardë dollarë për të mbështetur dy firma energjetike dhe një operator telekomunikacioni, problemet e të cilëve nuk kanë të bëjnë fare me pandeminë.
Shteti duhet të ndërhyjë për t’i ndihmuar tregjet të funksionojnë më mirë, për shembull, nëpërmjet taksave të karbonit për të zhvendosur kapitalin drejt teknologjive më ekologjike; nëpërmjet kërkimit dhe zhvillimit për të financuar studimet shkencore dhe nëpërmjet një sistemi përfitimesh që mbron punëtorët dhe më të varfrit.
Por stili i ri i qeverisjes kontrolluese shkon përtej kësaj. Përkrahësit e saj shpresojnë për prosperitet, drejtësi dhe siguri. Ata kanë më shumë gjasa të përfundojnë me joefikasitet, njëanshmëri dhe izolim. /Monitor.al/