Gjatë një raporti në Parlament, zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave të Bullgarisë, Asen Vasilev, mbrojti datën e shpallur për anëtarësimin e Bullgarisë në Eurozonë – 1 janar 2024. Ai tha se vendi është plotësisht gati.
“Ne kemi dy sfida të mëdha përpara vitit 2024 – kriteret e inflacionit dhe aftësia për të përballuar barrën e anëtarësimit, veçanërisht për sa i përket sistemit të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit”, tha Georgi Ganev nga “Democratic Bulgaria”.
“Për momentin, ne jemi plotësisht të gatshëm për të adoptuar euron, kështu që data 1 janar 2024, nuk kërcënohet në asnjë mënyrë. Fushata ndërgjegjësuese duhet drejtuar në mënyrë korrekte që të gjithë ta kuptojnë se çfarë do të thotë të adoptosh euron – pra, cilat janë përfitimet, rreziqet e mundshme dhe sa e rëndësishme është të marrësh një vendim të informuar”, është shprehur Vasilev.
“Ne besojmë se ky është plani më i mirë për Bullgarinë. Pasi të kemi zhvilluar një diskutim të gjerë publik, do të fillojë Plani i Veprimit. Hapi i parë është një fushatë në shkallë të gjerë. E gjithë kjo është e përpiluar qartë në Planin e Veprimit. Por ai duhet të komunikohet qartë – duhet informuar se çfarë do të ndodhë me sistemet e pagesave, duhen mbajtur dy arka gjatë një muaji ,sepse kusuri që do t’u kthehet klientëve do të jetë në euro dhe lev”, tha tutje Asen Vasilev.
Po ashtu, ai konfirmoi se do të propozohet një rishikim i buxhetit të shtetit, në qershor të këtij viti, dhe se paratë do të shpenzohen për rimëkëmbjen ekonomike, jo për çati, shatërvanë dhe komuna të preferuara të qeverisë, siç ka qenë praktikë deri tani.