Ekonomia amerikane krijon 467 mijë vende pune vetëm në janar

Ekonomia amerikane krijoi më shumë vende pune se parashikimet e analistëve gjatë janarit, duke vënë në duke se pavarësisht çrregullimeve të biznesit si pasojë e rritjes së infektimeve me Covid-19, fuqia e ekonomisë vijoi. Të dhënat kanë shtuar pritshmëritë se Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit në takimin e marsit.

Departamenti i Punës njoftoi se sektori privat në SHBA krijoi 709 mijë vende të reja pune gjatë nëntorit dhe dhjetorit krahasuar me vlerësimet paraprake. Edhe rritja e pagave u përshpejtua gjatë muajit të kaluar. Raporti pozitiv i ka dhënë fund shqetësimeve të analistëve dhe Shtëpisë së Bardhë mbi forcën e ekonomisë amerikane, të cilët prisnin shifra zhgënjyese mbi punësimin.

Sipas të dhënave të Departamentit të Punës, punësimi, me përjashtim të sektorit bujqësor, u rrit me 467 mijë njësi, gjatë janarit, ndërsa analistët e anketuar nga Reuters parashikonin 150,000 vende të reja pune. Por, pavarësisht fuqizimit të ekonomisë, popullariteti i presidentit Biden po shënon rënie, kryesisht si pasojë e rritjes së inflacionit. “Kemi ende shumë punë për të bërë. Duhet të sigurohemi që çdo amerikan të ketë një punë. Është një start i mirë, por nuk është finishi”, deklaroi Biden në një konferencë për mediat në Shtëpinë e Bardhë.

Reklama e sponzorizuar
Ekonomia më e madhe në botë u rrit me një normë vjetore prej 6.9% në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Vlerësimet e rritjes për tremujorin e parë janë nën një ritëm prej 2%. Rritja e fortë e punësimit, e shoqëruar nga rritja më e madhe e pagave që nga maji i vitit 2020, i hapin rrugën bankës qendrore në SHBA për të rritur normat e interesit në mars me të paktën 25 pikë bazë për të zbutur inflacionin e lartë. Ekonomistët parashikojnë të paktën shtatë rritje të interesave gjatë këtij viti./Scan tv/