Farërat, vajrat e plehrat për tokën bujqësore shënojnë rritje në çmim mbi 25 për qind

Disa prej produkteve kryesore bujqësore që nevojiten për kultivimin e bimëve dhe të mirave bujqësore në Kosovë, në tremujorin e fundit të vitit 2021 kanë shënuar rritje ekstreme në çmim.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2020, muajt e fundit të vitit që lamë pas, çmimet e këtyre produkteve janë rritur për 25 për qind, përcjell Buletini Ekonomik.

Produktet kryesore që e pësuan këtë shtrenjtim janë: farërat dhe materialet ëmbëltuese, energjia, vajrat, plehrat dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticidet, shpenzimet për veterinari, lëndët për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, edhe mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi, siç janë: makineritë dhe pajisje të tjera për punimin e tokave, ndërtesa të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punë të tjera, përveç përmirësimit të tokës), kanë shënuar rritje në çmim për 1.5 për qind.

Ndërsa, si indeks i përgjithshëm i të dyja inputeve bujqësore, rritja e e çmimeve të tyre është për 13.6 për qind më e lartë, krahasuar me periudhën e njëjtë të viti 2020.

Ndryshe, grumbullimi i çmimeve nga ASK-ja është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Nga ASK tregojnë se çmimet janë grumbulluar në shtatë regjione: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan./Buletini Ekonomik/