Gjatë këtij muaji pritet të dalë raporti final i ZRRE-së në lidhje me tarifat e reja

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë pritet që gjatë shkurtit të dalë me raport final në lidhje me tarifat e reja të rrymës.

Këtë e ka konfirmuar Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu në Interaktiv të KTV. Fejzullahu ka thënë se do të mundohen që sa më shpejt t’u përgjigjen komenteve dhe të dalin me raportin përfundimtar.

Organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë propozoi shtrenjtimin e rrymës për të gjithë konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh rrymë në muaj, duke nxitur reagime dhe dy protesta.

Reklama e sponzorizuar

Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE ka thënë se rritjes së çmimit të rrymës do t’i shpëtojnë vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë më pak se 600 kWh rrymë në muaj.

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh rrymë në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kwh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.