Bujqit kosovarë, por edhe ekspertët e bujqësisë, druajnë se nuk do të kenë mundësi që të sigurohen plehrat e nevojshme minerale për të riplehëruar grunajat si dhe për mbjelljet e pritshme pranverore për shkak të çmimeve të larta enorme, ndërsa pasojat mendojnë se do të jenë zinxhirore. Sipas profesorit Imer Rusinovci, në situata të këtilla, duhet të intervenojë shteti, institucionet përgjegjëse dhe MBPZHR-ja, për t’i ndihmuar bujqit për të mos mbetur toka e bukës djerrë.
Blendrita Avdiu
Rritja enorme e çmimeve të repromaterialeve, sidomos e plehrave minerale të nevojshme për agrarin kosovarë, që tani po shihet që do të ketë pasoja jo të pakta në përmbushjen e parashikimeve bujqësore.
Bujqit kosovarë, por edhe ekspertet e bujqësisë, druajnë se nuk do të kenë mundësi që të sigurohen plehrat e nevojshme mirenale për të riplehëruar grunajat si dhe për mbjelljet e pritshme pranverore për shkak të çmimeve të larta enorme, ndërsa pasojat mendojnë se do të jenë zinxhirore. Në rast se nuk do të arrihet të bëhet riplehërimi i drithërave sipas standardeve, është e natyrshme që do të ketë rendimente më të ulëta dhe as për së afërmi nuk do të arrihen parashikimet për të prodhuar grurë, elb e tërshërë, sipas planit.
Eksperti i bujqësisë, Imer Rusinovci, për Buletinin Ekonomik ka thënë se është vështirë e përballueshme për fermerët rritja enorme e çmimeve të plehrave minerale, pasiqë sipas tij kjo do të koincidojë edhe me prodhimtari jo stabile të bujqësisë, përkatësisht mungesa e përdorimit të sasive të duhura të plehrave do të rezultojë në redukim të madh të prodhimit, gjë që na e imponon importin e tyre në kontigjente të mëdha, madje edhe më shumë sesa viteve tjera.
Ndër të tjera, ai tha se çmimet e plehrave minerale në raport me vitin e kaluar, janë dyfishuar, madje edhe trefishuar. Plehrat komplekse NPK, pas ngritjes enorme të çmimit të tyre, tani janë 200 për qind më të shtrenjta se në vitin e kaluar, ndërsa 300 për qind është më i shtrenjtë çmimi i plehut Urea.
Profesor Rusinovci thotë se kjo shpie në pasiguri ushqimore dhe shqetësimet do të jenë dukshëm të theksuara, pasi që nga rrethanat e krijuara në treg si rezultat i shtrenjtimit të energjisë, plehrat minerale u shtrenjtuan shumë dhe kostoja e prodhimit të prodhimeve bujqësore do të jetë shumë e madhe. E kjo sipas tij, shpie në pasiguri ushqimore dhe shqetësimet do të jenë dukshëm të theksuara.
Ai tutje tha se dëmet e mos-riplehërimit të duhur dhe me kohë do të jenë të mëdha, sepse nuk do të realizohen planifikimet për zonat tona prodhuese. Dhe nga kjo, siç thotë ai, si pasojë e mungesë së ushqimit të duhur, dëmet mund të jenë deri në 50 për qind në raport me agroteknikën e duhur dhe potencialin prodhues që kanë kultivarët lartëprodhues.
“Varësisht nga norma e plehërimit bazë në vjeshtë (plehut kompleks NPK) që është përdorur në plehrimin themelor, sasia e riplehrimit është relative. Po supozojmë se një fermer i rëndomtë ka përdorë në vjeshtë 400 kg pleh themelor për një hektarë, i njëjti për të realizuar prodhimin e planifikuar duhet të përdorë edhe 200-250 kilogramë të plehut urea për një hektar dhe pas një muaj 100-150 kg/NAG”, ka thënë ai.
Ndërsa, për ta siguruar tërë këtë sasi të nevojshme të të gjithë këtyre plehrave të nevojshme, të gjithë fermerët kosovarë, madje edhe ata më të kamurit, do ta kenë vështirë me këto çmime kaq të larta.
Sidoqoftë, sipas ekspertëve, afati optimal i riplehërimit të grurit është fundi i shkurtit apo fillimi i marsit, dhe se për këtë itinerar agronomik nevojiten Urea (afati i parë-fundi i shkurtit ose fillimi i marsit), përkatësisht NAG-u (Nitrati i Amonit Gëlqeror) pas një muaj nga përdorimi i Urea-s.
Ndërkohë, afati dytë i riplehërimit me NAG është korrektues (përmirësues) i afatit të parë.
Tutje profesori Rusinovci tha se muaji marsi është afati kur duhet të parapërgatiten sipërfaqet kultivuese për mbjelljet pranverore, të cilat duhet të përmbyllen kah fundi i marsit, përkatësisht gjatë prillit, varësisht nga lloji i kulturës bujësore.
Sipas tij, afati optimal i mbjelljes së misrit (si kulturë dominuese pranverore) është dekada e dytë dhe e tretë e prillit dhe që për këtë, toka duhet të përgatitet mirë dhe sasia e ushqimit (plehut mineral) duhet të jetë konform kërkesave ekologjike të bimëve.
Ai thotë se gjithsesi shtrenjtimi i plehut mineral do të ndikojë që sipërfaqet e planifikuara të mbillen në tërësi, mirëpo në situata të tilla, sipas tij, duhet të intervenojë shteti, institucionet përgjegjëse dhe MBPZHR-ja, për t’i ndihmuar bujqit për të mos mbetur toka e bukës djerrë.
Në këtë kontekst, Rusinovci tutje u shpreh se Qeveria, përkatësisht MBPZHR-ja duhet të intervenojë që përmes kredive pa kamatë t’i furnizojë furnitorët me plehra minerale në një zinxhir shumë monitorues, në mënyrë që të evitohen të gjitha keqpërdorimet e mundshme.
“Konsideroj se Qeveria duhet ta ketë prioritet ndër prioritete sektorin e bujqësisë përkatësisht sigurimin e inputeve cilësore për mbjelle të suksesshme”, ka thënë ai.
Sipas Rusinovcit, duhet punë ekipore që të ndërhyhet në politikat bujqësore, të cilat janë relative në raport me politikat e sektorëve tjerë dhe se lidhur me këtë, ai konsideron se duhet të zgjidhet një emërues i përbashkët ndërinstitucional për efikasitet të duhur në prodhimin vendor. /Buletini Ekonomik/