KESCO njofton që me vendimin e ZRrE, tarifat e reja do të fillojnë së aplikuari nga 9 shkurti.
Mënyra e implementimit te llogaritjes se konsumit është marrja e konsumit në total dhe ndarja në mesatare ditore.
Me këtë metodologji të propozuar nga KESCO është pajtuar edhe ZRRE-ja.
Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala ka njoftuar se faturat do të tarifohen në dy periudha.
“Në mënyrë që të evitohet çdo keqkuptim, konsumi do të kalkulohet në dy pjesë, nga data e leximit të faturës deri me 9 shkurt dhe nga 9 shkurt e deri në datën e leximit. Faturimi deri me 9 shkurt do të llogaritet me tarifë të vjetër. Pastaj do të bëhet kalkulimi tjetër me tarifë të re”.
Buzhala thotë se pjesa më e madhe e konsumatorëve gjatë këtij muaji do të lirohen nga bllok tarifa edhe pse sipas tij do të kalojnë shpenzimin e mbi 800 kilovatëve.
“Pra, edhe nëse i keni shpenzuar më tepër se 800 kWh deri me 9 shkurt, ato nuk do të llogariten për të hyrë në bllok tarifë, por kalkulimi do të fillojë sërish nga zero deri në datën e leximit. Me anë të kësaj metode, pjesa më e madhe e konsumatorëve do të lirohen nga bllok tarifa, edhe pse kanë shpenzim mbi 800 kWh”.
KEDS njofton se konsumatorët do të njoftohen lidhur me shpenzimin me tarifa të vjetra dhe të reja në faturat e fundit që do ti pranojnë gjatë ditëve në vijim.
Konsumi që fillon pas dërgimit te faturës së ardhshme e tutje do të fillojë të njehsohet me tarifa të reja.