Komisioni Evropian ka zbuluar një paketë të konsiderueshme investimi prej 3.2 miliardë eurosh për të mbështetur 21 projekte të lidhjes së transportit, digjitalizimit, klimës dhe energjisë në Ballkanin Perëndimor.
Kjo është paketa e parë e madhe e projekteve në kuadër të Planit ambicioz Ekonomik dhe Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor, të cilën Komisioni e miratoi në tetor 2020. Projektet janë krijuar për të sjellë përfitime të prekshme për të gjashtë partnerët në rajon.
“Gjatë viteve të ardhshme, Plani Ekonomik dhe i Investimeve do të mobilizojë deri në 30 miliardë euro investime, si një kombinim i granteve, kredive preferenciale dhe garancive. Plani do të ndihmojë në mbylljen e hendekut të zhvillimit midis Bashkimit Evropian dhe rajonit dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Plani do të ndihmojë gjithashtu në ofrimin e strategjisë më të gjerë të BE-së Global Gateway, e nisur në dhjetor 2021”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian, raporton Zeri.info.
Komisionari evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha: “Me këtë paketë të madhe investimi ne po përshpejtojmë zbatimin e Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor në terren. Ne i kemi identifikuar këto projekte kryesore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Lidhje më të mira dhe më të qëndrueshme në transport, infrastrukturën digjitale dhe energjinë e rinovueshme do të nxisin ekonominë, do të nxisin tranzicionin e gjelbër dhe digjital të rajonit dhe do të sjellin një mori mundësish për njerëzit dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë BE-në. Këto investime do të përshpejtojnë gjithashtu integrimin e rajonit, në përputhje me perspektivën e tij të qartë evropiane”.
Paketa e sotme financiare përfshin 1.1 miliard euro grante të BE-së nga Instrumenti për Asistencën e Para-Aderimit 2021-2027 (IPA III), kontribute shtesë dypalëshe nga shtetet anëtare të BE-së dhe Norvegjia, si dhe kredi të favorshme nga institucionet financiare ndërkombëtare. Paketa e investimeve prej 3.2 miliardë euro kanalizohet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) – një platformë investimi me shumë donatorë, e udhëhequr nga BE-ja dhe mjeti kryesor financiar për zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve në fushat e infrastrukturës publike dhe konkurrencës së sektorit privat.
Për Kosovën janë ndarë 204 milionë euro në formë të granteve dhe kredive për projektin e tashmë të njohurës “Autostradës së Paqes”, gjegjësisht rrugës Nish – Merdar – Prishtinë.
Ky projekt investues thuhet se do të rehabilitojë dhe përmirësojë sipas standardeve të autostradës seksionin 27 km të autostradës në Kosovë, nga Prishtina deri në kufirin me Serbinë në Merdar.
“E lidhur strategjikisht me korridoret IV dhe X, kjo lidhje rrugore është thelbësore për transportin e mallrave dhe pasagjerëve në Ballkanin Perëndimor. Është rruga më e shkurtër e rajonit nga porti i Durrësit në Adriatik në Evropën Juglindore dhe Qendrore, si dhe në Detin e Zi”, është thënë nga KE-ja.