Kosova gjatë janarit eksportoi jashtë vendit mallra në vlerë të vetëm 64.2 milionë eurove

Fotografi ilustruese

Kosova ka eksportuar mallra nëpër vendet e tjera të botës, në vlerë të vetëm 64.2 milionë eurove, vetëm gjatë muajit janar të këtij viti. Kështu konstatohet në raportin më të ri të Agjencisë së Statistikave të Kosovës rreth të dhënave për rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar 2022.

Deficiti tregtar mes importit dhe ekportit gjithashtu arriti për 41.7 për qind më lartë, sesa deficiti tregtar që Kosova kishte shënuar në periudhën e njëjtë në viti 2021. Krahasuar me janarin 2021, kur deficiti tregtar i Kosovës ishte 193.2 milionë euro, i njëjti në janar 2022 arriti në 273.8 milionë, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas të dhënave të shpalosura në këtë raport të ASK-së, eksporti i mallrave në muajin janar 2022 kishte arritur vlerën në 64.2 milionë euro, ndërsa vendi ynë kishte importuar mallra në vlerë të gjithsej 338.1 milionë eurove gjatë kësaj periudhe. Këto statistika tregojnë se ka një rritje prej 50.9 për qind për eksport dhe 43.4 për qind për import, kur i krahasojmë me të dhënat e periudhës së njëjtë të vitit 2021.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.1 për qind të të gjitha eksporteve nga Kosova, e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 20.5 për qind e përbëjnë produktet minerale, 18.3 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.4 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 4.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, etj.

Vetëm në 27 vendet e Bashkimit Evropian, eksportet e Kosovës arritën shifrën e 26.0 milionë eurove, ose rreth 40.6 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 74.9%. Kurse, partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania  me 7.7%, Sllovenia me 7.5, Danimarka me 6.8% etj.

Ndërkohë, po në muajin janar 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në shumën e 15.6 milionë eurove, ose 24.4 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12.4%. Ndërsa, partnerët kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut me 12.2% të eksporteve, Shqipëria me 6.1%, Serbia 4.3 dhe Mali i Zi me 1.0%.

Në anën tjetër, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 22.4 milionë euro, ose 35.0 për qind. E si partnerët më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA me pjesëmarrje me 24.1 për qind dhe Zvicra me 6.9 për qind.

Ndërkohë, shifra e eksporteve në muajin dhjetor të vitit 2021 ishte në vlerën e 65 milionë eurove, në nëntor 2021 kishte arritur në 70.6 milionë euro, kurse në muajin janar të 2021-s, Kosova kishte eksportuar jashtë vendit mallra në vlerë të vetëm 42,5 milionë eurove. /Buletini Ekonomik/