Kosova përfiton mbi 134 milionë euro nga fondet e IPA-s

Kosova ka përfituar gjithsej 134.21 milionë euro nga marrëveshjet financiare për IPA 2021 dhe IPA 2022, fonde këto që vijnë direkt nga Bashkimi Evropian.

Nga programi vjetor IPA 2021, Kosova përfiton 63.96 milionë, kurse nga IPA 2022, Kosova do t’i ketë në dispozicion 70.25 milionë euro. Këto dy programe vjetore janë pjesë e programit IPA III, që është marrëveshje kornizë mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për fondet në fjalë.

Këtë e ka konfirmuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, përmes një njoftimi në facebook, në të cilin tha se këto fonde do të shërbejnë për zbatimin e projekteve të ndryshme në Kosovë, si: deminimi, përkrahja për komunat, instrumenti i përafrimit me BE-në, përkrahja për mjedisin, tregtia dhe tregu i brendshëm dhe përkrahja për bujqësinë dhe zhvillimin rural, kthimi dhe riintegrimi i komuniteteve, përkrahja për profesionet e lira në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Përveç këtyre, sipas njoftimit nga Bislimi, të njëjtat fonde do të përdoren edhe për energjinë e gjelbër dhe efiçiencën e energjisë në vend, për ekonominë qarkore dhe menaxhimin e mbeturinave, ujërat e zeza dhe zhvillimin gjithëpërfshirës socio-ekonomik, përcjell Buletini Ekonomik.

“IPA III do shërbejë si marrëveshje kornizë që Kosova të përfitojë nga fondet e BE-së të ofruara në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit për programet vjetore IPA 2021-2027. Nga programet vjetore IPA 2021 dhe IPA 2022, Kosova përfiton përkatësisht 63.96 milionë për IPA 2021 dhe 70.25 milionë euro nga IPA 2022”, shkroi zëvendëskryeministri.

Bislimi shtoi tutje në status se përveç fondeve të IPA III, Kosova synon mëtej edhe përfitime nga fonde të tjera si WBIF (Western Balkans Investment Framework), të cilat garantojnë zhvillimin, menaxhimin dhe implementimin e politikave të ndërmarra dhe përmbushjen e kritereve të përcaktuara në sektorë të ndryshëm. /Buletini Ekonomik/