Kroatëve u kërkohet të depozitojnë sa më shumë para në banka, për të lehtësuar kalimin në Euro

Kryeministri i Kroacisë u bëri thirrje njerëzve që të depozitojnë në banka paratë që mbajnë në shtëpi, për të lehtësuar kalimin nga monedha Kuna në Euro, gjë që pritet të ndodhë brenda një viti.

Kryeministri Andrej Plenkovic tha se çmimet do të shfaqen në Kuna dhe në Euro, duke filluar nga shtatori, përpara hyrjes së monedhës së përbashkët, që pritet të ndodhë janarin e ardhshëm.

“Ne u bëjmë thirrje njerëzve, të cilët mbajnë para në shtëpi, që t’i vendosin ato tani në banka, pasi kursimet në Kuna do të konvertohen automatikisht në Euro”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Kroacia u bashkua me Bashkimin Europian në korrik 2013, por ashtu si anëtarët e tjerë të rinj nga Europa Lindore, edhe asaj i është dashur pak kohë për të përmbushur kushtet ekonomike për të miratuar monedhën e përbashkët europiane.

Qeveria dëshiron që kalimi të jetë “i thjeshtë dhe pa kosto për qytetarët”, tha Plenkovic, ndërsa prezantoi një projektligj mbi adoptimin e Euros. Për shkak të mungesës së besimit tek institucionet dhe bankat, shumë kroatë i ruajnë kursimet në para të thata, në shtëpi.

Zyrtarët theksojnë vazhdimisht përfitimet e adoptimit të Euros, veçanërisht uljen e kostove të huamarrjes dhe nxitjen e investimeve të huaja në vend, si dhe eliminimin e rreziqeve të monedhës në raport me partnerët kryesorë tregtarë.

Rreth 80% e depozitave bankare janë tashmë në Euro. Por shumë kroatë kanë frikë se hyrja e Euros do të çojë në një rritje të çmimeve, veçanërisht për shkak se bizneset do t’i rrumbullakosin çmimet kur ato të kthehen në Euro. Ministri i Financave, Zdravko Maric, e quajti këtë “një nga çështjet më të rëndësishme”.

Ai u bëri thirrje “të gjithëve që të sigurohen që të mos ketë rritje të pajustifikuar të çmimeve… dhe asgjë të dyshimtë”. Një studim nga Eurobarometer vitin e kaluar, tregoi se 61% e kroatëve mbështesin kalimin në euro. Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, aktualisht 19 përdorin Euron si monedhën e tyre.

Ekonomia e Kroacisë e orientuar drejt turizmit, mbetet një nga më të dobëtat e BE-së. Në tetor, paga mesatare ishte 952€ (4,543 RM). ― AFP

Kroacia do të shfaqë çmimet në Kuna dhe Euro nga 5 shtatori

Kryeministri kroat, Andrej Plenkovic, ka njoftuar se, duke filluar nga 5 shtatori, çmimet do të shfaqen në Kuna dhe në Euro, duke vazhduar gjatë vitit 2023.

Çmimet e mallrave dhe shërbimeve të konsumit në Kroaci, të matura nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, janë rritur me 5,5% në dhjetor 2021, krahasuar me dhjetorin 2020, ndërsa në vitin 2021, ato janë rritur me 2,6% në bazë vjetore, sipas Zyrës Shtetërore të Statistikave (DZS).

Norma vjetore e inflacionit në dhjetor, ishte më e larta që nga tetori 2008, në nivelin 5.9%. Krahasuar me nëntorin 2021, çmimet e konsumit mesatarisht kanë mbetur të njëjta.

Rritja më e lartë në bazë vjetore, është vërejtur në sektorin e transportit, me 11.4%, e gjeneruar kryesisht nga rritja e çmimit të karburanteve prej 22.5%, në nivel vjetor. Rritje vjetore të çmimeve shënuan edhe të gjitha kategoritë e tjera, përveç sektorit të shëndetësisë, që shënoi rënie prej 0.3%.

Çmimet e ushqimeve, të cilat zënë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve, vijuan rritjen e nisur në muajin korrik, duke u rritur mesatarisht me 8.1% në dhjetor.

Çmimet e pijeve alkoolike dhe të duhanit janë rritur me 5.9%, çmimet e veshjeve dhe këpucëve me 3.7%, të banesave me 3.2%, dhe të mobilieve shtëpiake me 4%.

Krahasuar me muajin nëntor, rritja më e lartë e çmimeve është shënuar tek ushqimet dhe pijet joalkoolike (+1,4%). Çmimet e veshjeve dhe këpucëve u ulën me 8.2% dhe ato të banesave, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve djegëse, me 0.2%.

Norma mesatare vjetore e inflacionit për të gjithë vitin ishte 2.6%. Guvernatori Vujčić tha se vendi duhet të jetë i gatshëm që të sigurojë tregun me kartëmonedha dhe monedha Euro, gjatë gjithë tranzicionit të monedhës. Kur e pyetën për përparësitë dhe disavantazhet e pranimit në Eurozonë, Vujčić tha se Kroacisë do t’i sigurohet një mbrojtje më e mirë në rast krize.

Adoptimi i Euros do të eliminojë rreziqet e këmbimit valutor dhe në këtë segment, Kroacia do të ketë përparësitë më të mëdha, pasi ekonomia e saj është “më e ‘eurozuar’ se çdo kandidat tjetër i Eurozonës deri tani”, shpjegoi ai.

“Shumica e depozitave të kursimeve me afat janë të lidhura me Euron”, tha ai, duke shtuar se “për shembull, zhvlerësimi i Kunës me 10% në termat e kursit të saj të këmbimit kundrejt Euros, do të rriste borxhin e të gjithë sektorëve me 50 miliardë HRK. Ky është një rrezik i madh që mund të shkaktojë një recesion dhe hyrja jonë në Eurozonë do ta largojë këtë rrezik”, vazhdoi ai.

Ai shtoi se aktualisht janë në qarkullim 36 miliardë kuna në para të gatshme dhe në 12 muajt e ardhshëm, këto para duhet të depozitohen në banka, ose të shpenzohen.

Në vitin 2023, të gjithë do të mund të shkëmbejnë monedhat kuna me euro, pa pagesë në banka, në zyrat e Postës Kroate dhe në degët e FINA-s (Shërbimet financiare dhe sistemet e pagesave). /Monitor.al/