Kryeministri i Kosovës, Albin Kujrti ka thënë se rekomandimet që janë dërguar nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave dhe Transfereve dhe nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë janë të ndryshme por me qëllime të njëjta.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti deklaroi se qëllimi është ofrimi i një formule të bllok-tarifave sa më të favorshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit, shkruan Gazeta Express.
E për Kurtin vendimi final mbi këto rekomandime apo komente i takon Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
“Secili propozim i dërguar nga ana jonë ka trajtuar dimensione të ndryshme por ka qëllimin e njëjtë, të përbashkët dhe është ofrimi i një formule të bllok-tarifave sa më të favorshme për qytetarët dhe njëkohësisht sa më të përballueshme për buxhetin e shtetit. Vendimi përfundimtar i takon ZRrE-së si organ i pavarur. Ne kemi votuar deri në 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike, ashtu që pavarësisht vendimit përfundimtarë të ZRrE-së, të zbusim sa më shumë ndikimin e krizës globale energjetike tek qytetarët e tanë”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit janë dy zgjidhje për të tejkaluar krizën energjetike në vend. Njëra sipas tij është subvencioni i plotë nga shteti, e tjetra është shtrenjtimi i energjisë elektrike.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm që në mënyrë që të mos ketë reduktime të energjisë elektrike dhe çkycje të ketë subvencionim nga shteti ose shtrenjtim të energjisë elektrike, ose kombinim të të dyjave. Subvencionimi i plotë nga shteti është barrë shumë e madhe, mirëpo dhe shtrenjtimi i energjisë elektrike duke e shndërruar shtetin në spektator gjithashtu nuk është zgjidhje Sa më shumë komente që dërgohen në ZRrE mendoj që do t’i kontribuojë vendimit të tyre”, tha ai.
Kryeministri theksoi se komentet që janë dërguar në ZRrE lidhur me përcaktimin e tarifave për energji elektrike do të kontribuojnë në vendimin final të ZRrE-së.
“I kemi pasur edhe komentet e Ministrisë së Ekonomisë, të Financave dhe GHP- të VV-së, këto komente kanë dallime por nuk janë kundërthënëse. Jam i bindur që do t’i kontribuojnë të menduarit të ZRrE-së para vendimit të tyre. Ka përfunduar afati i kohës kur mund të dërgojmë komente dhe tash ne duhet të presim se cfarë do të thotë ZRrE dhe pastaj do të mblidhemi edhe ne si Qeveri. Jam i gëzuar që i kemi dhënë mjaftueshëm material për të menduar sa më mirë e sa më lirshëm”, tha ai. /Express/