Kurti: Së shpejti do ta propozojmë nivelin e pagës minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka deklaruar se Qeveria do të dalë me një propozim për nivelin e pagës minimale së shpejti.

Sipas Kurtit, rritja e pagës minimale po bëhet me qëllim që njerëzve t’iu mundësohet një jetë më e dinjitetshme, si dhe me këtë projektligj të përgatitur, ai theksoi se do të evitohen pasiguritë ligjore ekzistuese.

Reklama e sponzorizuar

Gjithashtu, ai njoftoi se sot është marrë vendimi që obligon administratën shtetërore që sivjet të plotësojë kuotën për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Ndryshe, paga minimale në Kosovë ka vite të tëra që s’ka lëvizur, kurse aktualisht paga minimale është 130-170 euro, që njëherit është paga më e ulët minimale në rajon.

Para dy ditëve, Ministria e Financave njoftoi se është në prag të finalizimit të projektligjit për rritjen e pagës minimale, mirëpo nuk është përcaktuar ende saktë niveli i saj. E sindikatat e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë po kërkojnë që ky nivel të mos jetë nën shumën e 350 eurove, pasi si vendim të tillë, ata nuk do ta pranojnë. /Buletini Ekonomik/