Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka njoftuar se dje është zhbllokuar rruga nga rrethojat metalike që ishin të vendosura në Terminalin Doganor në Han të Elezit.
Si pasojë e këtyre rrethojave, operatori ekonomik privat me emrin “Terminali SHPK”, kishte bllokuar rrugën për transportuesit e mallrave, dhe i ka detyruar për vite që transportuesit të paguajnë nga 40 euro për mallra, për një natë.
Ndërsa, tani e tutje, transportuesit e mallrave nuk do ta paguajnë natën me këtë çmim më në këtë terminal, përcjell Buletini Ekonomik.👇
Ndërkohë, pas ankesave të shumta nga agjentët doganor, dje Ministria e Infrastrukturës së bashku me Ministrinë e Financave dhe Doganën e Kosovës, kanë inicuar kërkesën për lirimin e mënjëhershëm të rrugës nga rrethojat metalike, të cilat kanë qenë të vendosura në pronën shoqërore, e cila njëherësh është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP).
“Operatori Ekonomik, “Terminali SHPK”, kishte bllokuar rrugën për transportuesit e mallërave duke i detyruar ata të paguanin dyzet Euro. Me asistencën e Policisë së Kosovës, tashmë kjo rrugë është zhbllokuar, rrjedhimisht transportuesit e mallërave nuk do të paguajnë më dyzet euro, aq sa ishin të detyruar të paguanin më parë”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /Buletini Ekonomik/