Markat më të vlefshme të bankave për vitin 2022, dominojnë kinezet

Pas rënies për 3 vite radhazi, 500 markat kryesore të bankave në botë kanë pasur rritje të vlerës së markave të tyre, duke shënuar një rritje vjetore prej 9% dhe duke kapur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 1.38 trilionë dollarësh, sipas raportit të fundit nga Brand Finance, të publikuar në revistën The Banker.

Çdo vit, kompania e konsulencës Brand Finance, lider për vlerësimin e markave, merr në shqyrtim 5,000 markat më të mëdha në botë dhe publikon afro 100 raporte, duke i renditur ato sipas sektorëve dhe vendeve. 500 markat më të vlefshme dhe më të fuqishme bankare në botë përfshihen në renditjen vjetore të Brand Finance Banking 500.

Vlera e markave të bankave më të mëdha në botë ra me 2% në fillim të vitit 2020 (1.33 trilion dollarë) dhe me 4% deri në vitin 2021 (1.27 trilion dollarë). Fillimisht, kjo rënie u shkaktua nga pasiguria ekonomike dhe ndryshimet e normave të interesit, por situata u përkeqësua nga pandemia, e cila solli një goditje te fitimi dhe te normat e interesit.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, teksa të gjitha vendet u përpoqën të përshtateshin me COVID-19 dhe ekonomitë patën një rimëkëmbje gjatë vitit të kaluar, provigjonet për humbjen e kredive ishin shumë më pak të rëndësishme krahasuar me sa ishin parashikuar fillimisht nga ekspertët e industrisë. Për më tepër, përmirësimi i dixhitalizimit nga markat bankare, i shoqëruar me ndërhyrjet e fuqishme të qeverive dhe me rimëkëmbjen ekonomike në mbarë botën, solli fitime më të larta nga sa pritej për këtë industri në vitin 2021.

Megjithëse rritja e përgjithshme e vlerës së markave bankare për këtë vit është padyshim një shenjë pozitive për industrinë, ajo përbën një rritje të vogël prej vetëm 2% nga 1.36 trilionë dollarë që ishte vlera e përbashkët e 500 markave më të mira bankare në botë në vitin 2019, përpara fillimit të pandemisë. Veçanërisht në Europë, bankat po vazhdojnë të përballen me efektet e COVID-19, ku përveҫ fitimeve të pakta, ndikon edhe inefiҫenca e kostos dhe investimet e pamjaftueshme në teknologjinë dixhitale.

Bankat kineze dominojnë në renditje

Bankat kineze ruajnë kryesimin në renditjen e vitit 2022 të Brand Finance Banking 500, duke zënë një të tretën e vlerës totale të këtyre markave bankare, me një vlerë kumulative prej 454.4 miliardë dollarë. Megjithëse bankat e tjera në vende të ndryshme të botës patën rënie në vlerën e markës së tyre gjatë dy viteve të fundit, bankat kineze mbetën kryesisht të pandikuara nga këto probleme.

Një faktor domethënës i këtij suksesi ishte jo vetëm reagimi në kohë i vendit ndaj virusit, por edhe investimi i shpejtë dhe i vazhdueshëm në zhvillimin dixhital, që i ka dhënë mundësi bankave kineze të vazhdojnë t’u shërbejnë klientëve të tyre me problematika relativisht të vogla. Gjatë vitit të kaluar, ekonomia e Kinës ka vazhduar të rimëkëmbet në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht rrethanave komplekse që kanë qenë vazhdimisht në ndryshim, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2021, PBB-ja e vendit u rrit me 13% krahasuar me vitin paraardhës.

Vlera e markës së bankës më të madhe në botë për nga totali i aseteve, ICBC, është rritur me 3%, duke arritur në 75.1 miliardë dollarë dhe duke e bërë atë përsëri markën bankare më të vlerësuar në botë, si dhe markën e 8-të më të vlerësuar në renditjen e të gjitha industrive për vitin 2022, Brand Finance Global 500. Gjatë vitit të kaluar, ICBC ka vazhduar të ketë një numër të madh klientësh dhe të zgjerojë portofolin e saj, duke hapur degë në tregjet e huaja si Meksika, Argjentina dhe së fundmi, Panamaja.

Bankat amerikane zënë 5 vende në 10 më të mirat

Bankat amerikane përbëjnë pothuajse një të katërtën e vlerës totale të markave bankare në renditjen e Brand Finance Banking 500 për vitin 2022, me një vlerë kumulative prej 313.7 miliardë dollarë. Nga këto 76 marka, Bank of America (rritje 12% në 36.7 miliardë dollarë), Citi (rritje 7% në 34.4 miliardë dollarë), Chase (rritje 5% në 30.1 miliardë dollarë), Wells Fargo (rënie 6% në 30.1 miliardë dollarë) dhe JP Morgan (rritje 23% në 28.9 miliardë dollarë) janë renditur në 10 vendet e para të bankave më të vlerësuara në botë.

Liderët rajonalë

Duke parë përtej Azisë Lindore dhe Amerikës së Veriut, HSBC (e 12-ta, rritje 6% në 18.0 miliardë dollarë) është marka më e vlefshme bankare në Europë, DBS e Singaporit (e 39-ta, rritje 11% në 8.7 miliardë dollarë) kryeson në Azinë Juglindore, Banka Shtetërore e Indisë është e para në Azinë Jugore (e 43-ta, rritje 29% në 7.5 miliardë dollarë), ndërsa Itaú (e 51-ta, rritje 30% në 6.6 miliardë dollarë) dominon në Amerikën Latine.

Institucioni më i madh financiar në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, QNB, ka konsoliduar pozicionin si marka më e vlefshme bankare në rajon, duke pasur një rritje të shëndetshme të vlerës së markës prej 16% dhe duke arritur në 7.1 miliardë dollarë. QNB, gjithashtu, u ngjit me tre vende duke u renditur e 45-ta, e pozicionuar mirë mes 50 markave më të vlefshme bankare në botë.

Bankat që u bënë pjesë e renditjes për herë të parë

30 banka u bënë për herë të parë pjesë e renditjes së Brand Finance Banking 500 për vitin 2022, ku mund të përmendet: Piraeus Bank e Greqisë (vlera e markës: 176 milion dollarë), Mercantile Discount Bank e Izraelit (vlera e markës: 188 milion dollarë) dhe Equity Group e Kenias (vlera e markës: 388 milion dollarë), të cilat vijnë nga tregje më të vogla që janë në zhvillim.

Nga këto hyrje të reja në këtë rankim, SNB e Arabisë Saudite (vlera e markës: 3.2 miliardë dollarë) është renditur në 100 vendet e para, në vendin 94, duke u bërë kështu banka e renditur më mirë nga të gjitha të tjerat që u bënë pjesë e rankimit për herë të parë.

Me një rritje mahnitëse të vlerës së markës prej 181%, Cadence Bank është rifutur në renditje si marka me rritjen më të shpejtë në vitin 2022, duke arritur një vlerë prej 403 milionë dollarë./ Brand Finance