Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka takuar dje përfaqësuesit e Shoqatave Bujqësore të Kosovës, me të cilët ka diskutuar më hollësisht për të gjitha masat mbështetëse në kuadër të Programit të Pagesave Direkte dhe Programit të Zhvillimit Rural për vitin 2022.
Gjatë këtij takimi, ministri Faton Peci, i ka njoftuar ata lidhur me ecurinë e fazave të hartimit të këtyre programeve, dhe për të cilat theksoi se po planifikohen që të aprovohen gjatë muajit mars, përcjell Buletini Ekonomik.
Ministri Peci pas dhënies së njoftimit rreth të gjitha proceseve të këtyre programeve, tha se fermerët duhet të jenë të përgatitur për mënyrat dhe format e përkrahjes në momentin e shpalljes së thirrjeve për aplikim.
“Në Programin e Pagesave Direkte dhe Programin e Zhvillimit Rural, kemi adresuar politika të përshtatshme bujqësore për të gjithë sektorët dhe aktivitetet bujqësore, për përkrahjen e të cilëve sivjet është rritur mbështetja financiare. Përmes rritjes së përkrahjes dhe politikave të duhura synojmë zhvillimin dhe avancimin e veprimtarive bujqësore të fermerëve në gjithë territorin e vendit tonë”, deklaroi ministri, duke shtuar se prioritet kryesor dhe i vazhdueshëm do të jetë rritja e transparencës dhe realizimi me efikasitet i këtyre programeve mbështetëse.
Tutje, ai u shpreh se akterët që përfaqësojnë interesat e bujqve dhe fermerëve, do të jenë pjesë e hartimit të politikave bujqësore, duke shtuar se në vazhdimësi programet do të jenë rezultat i kërkesave dhe nevojave të sektorëve që mbështetë Ministria, e të cilët kanë potencial të lartë për zhvillimin ekonomik.
Gjithashtu, bëjmë me dijë se përfaqësuesit e Shoqatave Bujqësore kanë qenë pjesë e grupeve punuese për hartimin e këtyre programeve vjetore. /Buletini Ekonomik/