Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar sot se ministria të cilën ajo e udhëheqë ka dërguar komentet e saja për raportet konsultative të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, raporte këto që u publikuan më 17 janar 2022..
Ministria e Ekonomisë ka propozuar dy alternativa për ZRrE-në, që sipas tyre, në këto propozime kanë marrë parasysh dallimin e madh të çmimeve sipas blloqeve të propozuara (deri në 600 kWh dhe mbi 600 kWh), si dhe mungesën e një studimi shumëdimensional që do të informonte përcaktimin e pragut, përcjell Buletini Ekonomik.
Alternativat e propozuara nga Ministria e Ekonomisë në këtë rast janë këto:
- Zgjerimi i brezit tarifor, përkatësisht ndryshimin e pragut të bllokut nga 600 kWh në 800 kWh, duke pasur në konsideratë efektivitetin e këtij mekanizimi në kushtet e mungesës së alternativave tjera të sigurimit të energjisë elektrike për nevoja të ngrohjes nga një pjesë e konsumatorëve; ose
- Shtimin e numrit të blloqeve tarifore, që do të mundësonte përshkallëzimin e tarifave nëpër blloqe dhe përcaktimin e një tarife më të ulët sesa ajo e propozuar aktualisht për konsumin deri në 1000 kWh.
“Ministria e Ekonomisë ka dërguar komentet për “Raportin Konsultativ: Shqyrtimi i Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të shërbyer nën FSHU” dhe “Raportin Konsultativ: Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i të Hyrave të Lejuara Maksimale të Energjisë Elektrike për Operatorët e Rregulluar” të publikuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 17 janar 2022”, ka shkruar Rizvanolli në facebook.
Sipas kësaj ministrie, ndryshimet e kërkuara më lartë për ZRRE-në, do të mund të konsideroheshin tranzicionale deri në shqyrtimin e ardhshëm të rregullt tarifor, gjatë të cilit propozimet do të bëheshin në përputhje me një analizë paraprake shumëdimensionale që do të merrte parasysh të dhëna mbi arsyet objektive të tejkalimit të kësaj sasie të konsumit nga konsumatorët, pjesës së konsumatorëve që nuk kanë aftësi reale për të zëvendësuar burimin e ngrohjes në një periudhë afatshkurte, përveç energjisë elektrike (dhe kushtet ekonomike të tyre), kriterin e një minimumi të komforit për një familje (hapësira për banor në njësinë banesore, temperatura të paktën minimale në kufirin që nuk rrezikon shëndetin e banorëve, etj).
Gjithashtu, në njoftimin e ministres thuhet se Ministria e Ekonomisë ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE), që si autoritet i pavarur që në mandatin e tij ka mbrojtjen e konsumatorit, të sigurohet që gjatë shqyrtimit tarifor të shmangë ndërsubvencionimin dhe diskriminimin në mes të kategorive të konsumatorëve.
Përpos këtyre, nga kjo ministri konfirmojnë se i kanë propozuar ZRRE-së që të bëjë ri-vlerësim të elementeve të përllogaritjeve të të hyrave të lejuara, si çmimet e importit dhe marzha e fitimit të furnizuesit, si dhe rishikim të hapësirës për t’i reduktuar ato në mënyrë që kjo të reflektohet në ulje të tarifave për konsumatorët. /Buletini Ekonomik/