Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka bërë me dije se tashmë kanë intensifikuar takimet me Grupin Punues të Qeverisë shqiptare për zbatimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Siç u tha në një njoftim për media nga ministria, ata dje kanë mbajtur takimin e dytë të Grupeve Punuese të të dyja vendeve, të përcaktuara për mbikqyrjen e këtij projekti.
Në njoftim thuhet se së bashku me Grupin Punues nga Shqipëria, është rënë dakord për Termat e Referencës për Studimin e Fizibilitetit të këtij projekti, si dhe janë dakorduar për projektin preliminar të dizajnit për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës – Prishtinë, përcjell Buletini Ekonomik.
“Në funksion të forcimit të marrëdhënieve tona e në dobi të funksionalizimit të lidhjes hekurudhore, do të angazhohemi që të intensifikojmë bashkëpunimin tonë dhe do të ndërmarrim hapa konkret që do t’i bashkojnë ekonomitë tona dhe do t’i fuqizojnë mundësitë për zhvillim ekonomik, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë”, përfundon njoftimi nga MMPHI-ja. /Buletini Ekonomik/