Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka marrë pjesë dje në konferencën “Ditët e industrisë së BE-së 2022”, e cila është organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC), ku është diskutuar për agjendën e gjelbër, industrinë dhe transformimin digjital.
Hajdari me këtë rast, theksoi se Qeveria e Kosovës përmes MINT, ka në prioritet rimëkëmbjen e industrisë në të gjithë sektorët e zhvillimit socio-ekonomik, si dhe krijimin e mekanizmave dhe infrastrukturës së përshtatshme për lehtësimin e tranzicionit digjital industrial tek bizneset dhe digjitalizimin e shërbimeve për të rritur kapacitetin, qasjen dhe efikasitetin e ofrimit të shërbimeve nëpërmjet E-qeverisjes, etj.
Ajo tha tutje se tranzicioni digjital është një proces që nuk qëndron vetëm në adoptimin e teknologjive të reja, por gjithashtu edhe në mënyrën e të kuptuarit të një modeli të ri të biznesit, gjegjësisht transformimin e biznesit.
“Digjitalizimi do te jetë një faktor kyç në tranzicionin e industrive tradicionale dhe është një mjet efektiv që mund të përdoret nga biznesi në të gjitha proceset – operacionale apo të zhvillimit të biznesit. Digjitalizimi dhe teknologjia informative kanë pasur shumë sukses në rritjen e të hyrave të biznesit përmes platformave digjitale, dhe fal agjendës digjitale disa nga bizneset që gjate krizës COVID 19 kishin shumë ndërprerje, ishin në gjendje të vazhdonin me të bërit biznes, vetëm duke digjitalizuar proceset e tyre”, është shprehur ministrja Hajdari.
Ajo shtoi se duke u bazuar në Agjendën Evropiane për Industri, Tregun e Brendshëm, Ndërmarrësi dhe NVM, si dhe Agjendën e Gjelbër, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke punuar në hartimin e politikave publike dhe konsolidimin e kornizës së qartë ligjore, për promovimin dhe zhvillimin e industrisë, ndërmarrësisë dhe inovacionit me fokus rritjen e konkurrueshmërisë, eksportit dhe vendeve të reja të punës. Ajo shtoi se me finalizimin e hartimit të politikës industriale do të definohen një numër i prioriteteve të teknologjisë inovative, që do të aplikohen në sektorët e industrisë prodhuese.
Sipas Hajdarit, ndërveprimi ndërmjet industrisë, kërkimit dhe inovacionit dhe institucioneve qeveritare, është prioritet i Qeverisë për nxitjen e potencialit për zhvillim të sektorëve me prioritet, nëpërmjet transformimit të ekonomisë tradicionale në ekonomi digjitale dhe kreative si:
a) Sektori i Teknologjisë informative dhe komunikimit, digjitalizimin e shërbimeve;
b) Industria e përpunimit të produkteve dhe avancimi i teknologjive përpunuese;
c) inovacionet në zhvillimin e industrisë kreative;
d) Funksionalizimin e qendrave të inovacionit dhe ndërmarrësisë për më shumë zhvillim të ideve dhe projekteve inovative industriale, si dhe
e) Zhvillimin e programeve për aftësimin e fuqisë punëtore dhe ngritjen e kompetencave, në përshtatje me nevojat e tregut.
“Në fund, Ministrja Hajdari ka konkluduar për nevojën për më shumë investime në kërkim dhe zhvillim për industrinë vendore, duke përmendur institutet e ndryshme kërkimore në Evropë, për zhvillim të produkteve të reja industriale, përveç granteve qeveritare për makineri, certifikim, digjitalizim dhe trajnim të lansuara gjatë vitit 2021, për rritje te eksportit”, thuhet në një njoftim nga MINT.
Sipas ministres, kjo ndihmë e granteve në vlerë prej 9.8 milionë euro për bizneset është më qëllim që Kosova të jetë pjesë e zinxhirit të vlerës në rajon dhe në botë.
“E të jemi pjesë e zinxhirit global të vlerës ka shumë punë dhe sfida, gjërsa ambiciet janë shumë të mëdha duke u bazuar ne agjendën e gjelbër evropiane”, ka përfunduar ministrja Hajdari. /Buletini Ekonomik/