Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtinë (MINT) ka reaguar pas aktivitetit të djeshëm të Organizatës Joqeveritare ‘AVONET’, e cila përmes një tubimi para kësaj ministrie, u deklarua se Informaliteti dhe mungesa e kontrollit të qeverisë në tregun e brendshëm, po e ndihmon korrupsionin dhe abuzimin, veçanërisht në industrinë e naftës.
Nga ministria thonë se Inspektorati i Tregut e monitoron rregullisht cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës në tregun e brendshëm, duke u bazuar në Ligjin nr.2004/5 për Tregtinë me Naftë dhe Derivate të Naftës dhe Udhëzimit Administrativ nr.01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës.
Ky monitorim i cilësisë, sipas MINT, bëhet përmes marrjes së mostrave dhe testimit në laboratorët e akredituar (brenda dhe jashtë shtetit). Tutje, ata thonë se vetëm gjatë vitit 2021, janë testuar tashmë mbi 730 mostra të karburanteve të lëngëta të naftës.
MINT rithekson se ligji i ri për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës (pas 10 vitesh), më 8 shkurt të këtij viti, është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe i njëjti shumë shpejt pritet të fillojë së zbatuari.
“MINT vlerëson se komunikata e lëshuar nga “AVONET” është deklaratë e pasaktë dhe e pabazuar në fakte dhe prova, prandaj si të tillë e konsideron tentim të radhës për zbehjen e qeverisjes së mirë dhe me duar të pastra”, thuhet në njoftimin për media nga kjo ministri.
Megjithatë, nga MINT shtojnë se në rast se “AVONET” kanë dëshmi dhe prova lidhur me rastet e favorizimit të naftëtarëve, informalitetit, korrupsionit, abuzimit, përzierjes dhe hollit të naftës, dëmtim të veturave nga karburantet, kërkohet që rastet e tilla t’i denoncojnë pranë organeve kompetente.
“Gjithashtu, MINT fton Prokurorinë e Republikës së Kosovës t’i hetojë deklaratat e paqëndrueshme të përfaqësuesve të OJQ “AVONET”, që i kanë bërë në prezantimet dhe publikimet publike dhe në media, me datën 23 shkurt 2022”, përfundon komunikata. /Buletini Ekonomik/